Prokuroria kishte kërkuar arrest me burg, por Gjykata ka vlerësuar zgjedhjen e Saimir Tahirit për të dhënë dorëheqjen nga roli i deputetit e për të hequr kështu dorë nga imuniteti. “Tashmë personi nën hetim Saimir Tahiri, shkruan gjykatësja Liliana Baku, nuk gëzon mandatin e deputetit, çka e bën evident rrezikun e largimit me qëllim fshehje drejt drejtësisë. Duke qenë i lirë, ai mund të verë në rrezik marrjen dhe vërtetësinë e provës.
Në funksion të provushmërisë së këtij kushti të veçantë rezulton fakti se pas marrjes së deklarimeve në Prokurori, i hetuari Saimir Tahiri i ka takuar e pyetur ata sikurse pronarin e mjetit lundrues ndërkohë që ndaj 3 oficerëve të lartë të policisë, subjekte të hetimit, masa e sigurimit personal arrest me burg është e paekzekutuar”.
Sipas gjykatës “në vlerësim të provave të paraqitura dhe të parashtruara ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen prej Saimir Tahirit të veprave penale për të cilat po hetohet” dhe megjithatë gjykata çmon se rrezikshmëria e Saimir Tahirit nuk mund të vlerësohet e veçantë, pra në atë shkallë që do të përligjte aplikimin ndaj tij të masës ekstreme.
Në këtë rast gjykata mban parasysh personalitetin e ti, faktin se deri pak ditësh ishte përfaqësues i një shumice në parlamentin shqiptar dhe që vullnetarisht hoqi dorë nga mandati i tij si deputet (akt i vlerësueshëm) për t’i dhënë më shumë mundësi hetimit në ngarkim të tij”. Për këtë arsye gjykata e hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë për arrest me burg dhe vendosi për arrest shtëpie.
Nesër, në seancën e parë në gjyq, mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Maks Haxhia do të përpiqet të tregojë se asnjë nga provat e sjella nga Prokuroria nuk mund të flasë për atë që, me të vërtetë, ka një përgjegjësi nga ish-ministri i Brendshëm në trafikun e drogës.