Nga Predrag Popoviç
Presidenti amerikan Joe Biden ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, duke kërcënuar me sanksione këdo që “rrezikon paqen dhe sigurinë” në Ballkanin Perëndimor.
Në zhargonin e brendshëm të Uashingtonit, kjo shpallje njihet ndryshe dhe si “asnjë politikë e strehës së sigurt”. Nuk ka strehë për Aleksandër Vuçiçin.
Çdo detaj i urdhrit ekzekutiv i referohet mashtrimit politik dhe krimeve specifike të Vuçiçit, nga mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, shkelja e të drejtave të njeriut, minimi i proceseve demokratike dhe mbytja e mediave, deri te korrupsioni dhe plaçkitja e pronës publike dhe private. Sanksionet kanë kërcënuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij, të cilët “janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në veprime ose politika që kërcënojnë paqen në rajon”.
Njëra listë e zezë liston individë, ndërsa tjetra liston kompani të lidhura me ta. Të dy listat janë të dyllosura, nuk dihet se kush është përcaktuar të goditet bashkë me Vuçiçin.
Kuptohet ama se nuk ka strehë për Vuçiçin.
Vuçiç e dinte se çfarë e priste, por nuk mund ta shmangte. Gjashtë vjet më parë, ai mori paralajmërime nga Amerika, ndaj të cilave ai nuk reagoi, ai nuk mund të frenonte lakminë dhe të hiqte dorë nga kombiniacionet kriminale që e pasuronin.
Në maj 2015, kur udhëtoi në Uashington si Kryeministër i Serbisë, atij i bënë “pritë” në Shtëpinë e Bardhë agjentët e FBI-së, të cilët e morën në pyetje për gjashtë orë.
Vuçiç iu përgjigj pyetjeve në lidhje me kontrabandën e armëve serbe në Libi. Përveç kësaj, hetuesit e FBI-së ishin të interesuar për aktivitetet kriminale të vëllait të tij Andrej, si dhe njerëzëve më të besuar të klanit të tij në Beograd, të cilët janë Nikola Petroviç, Slavisa Kokeza, Goran Veselinoviç, Zvonko Veselinoviç dhe Nenad Kovaç.
Vuçiç nuk e informoi publikun serb për takimin, por ajo fotografija e tij ku qëndron ulur në një korridor, i rrethuar nga agjentë me çizme kauboj bëri përshtypje.
Andrej Vuçiç, Novak Nediç, Slavisa Kokeza, në dasmën e djalit të Bata Gasiç në 2016
Kompromentimi i klanit
Një dokument i Kongresit të SHBA-ve ka evidentuar një klan të ngushtë të udhëhequr nga vëllai i Presidentit të Serbisë Andrej Vuçiç dhe katër nga miqtë e tij Nikola Petroviç, Zvonko Veselinoviç, Slavisa Kokeza dhe Nenad Kovaç, si personat që kontrollojnë të gjitha projektet e infrastrukturës dhe punëve publike. Në dokumentin e bërë publik nga Bernice Johnson flitet për krijimin e një monopoli në punë të lidhura me ndërtimin, telekomunikacion, energji dhe media, çka është “në kundërshtim me angazhimin e Amerikës për një ekonomi të tregut të lirë”.
Ndryshe nga Vuçiçi, i cili u ofroi vetëm justifikime të parëndësishme amerikanëve, Nenad Kovaç reagoi në një mënyrë më finoke.
Ai e justifikoi ndalimin e tij në SHBA dhe marrjen në pyetje nga agjentët amerikanë me pretekstin e “shkeljes së masave epidemiologjike”.
Nga ana tjetër rezulton se motrat Kori dhe Lidija Udoviçki i dhanë ndihmë të konsiderueshme organeve të inteligjencës dhe hetimit amerikan.
***
Kompania “Continental Wind Projects”, pronari i së cilës Mark Crandall (burri i Lidija Udoviçki) ka investuar rreth 300 milionë dollarë në ndërtimin e centraleve eolike në Banat. Biznesi u bllokua kur, sipas Udoviçkiy, Crandall u sulmua nga kumbari Vuçiç dhe Nikola Petroviç, të cilët kërkuan 2 milionë dollarë që centralin eolik të lidhej me sistemin energjetik serb.
Nën presion, firma CWP shiti centralin eolik dhe u largua nga Serbia. Pronari i kësaj firme Mark Crandall është pinjoll i elitës ekonomike amerikane, babai i tij ka drejtuar Rezervën Federale për dy dekada, ky rast nuk do të mbyllet dhe aq kollaj, do të sanksionohen të gjithë zyrtarët shtetërorë në Serbi që ushtruan presion në skandalin e korrupsionit.
-“Agjencia Amerikane për luftën kundër trafikut të drogës, DEA, kontrollon transportin e drogës nga Afganistani, Turqia dhe Shqipëria përmes Serbisë në vendet e Bashkimit Evropian. Policia serbe i ka të gjitha informacionet për këtë,”, – kështu deklaroi Vuçiç në mediat e tij disa muaj më parë.
I tërbuar që DEA plasi skandalin “Jovanjica”, ku u bë zbulimi i plantacionit më të madh të marihuanës në Evropë, Vuçiç u përpoq ta diskretitonte agjencinë e amerikane. Amerikanët nuk e vonuan pëgjigjen.
Ata sollën prova për trafikimin e drogës, duhanit dhe mallrave të tjera nga aksiTurqi-Shqipëri-Mali i Zi-Serbi, provat erdhën nga Lubjana, ku ndodhet qendra rajonale e DEA-s. Vuçiç e sakrifikoi Kokezën.
Ai e akuzoi atë për mashtrim doganor me vlerë prej 640 milionë eurosh. Kokeza siguroi mbijetesën e tij të përkohshme në liri me dëshminë e dhënë në FBI se ai ishte vetëm një nënkontraktor dhe se organizatori kryesor ishte kreu i kartelit, Aleksander Vuçiç.
Nën tutelën e FBI -së, Europolit dhe disa policëve lokalë, në vitin 2017 filloi Operacioni “Familja”. Në dy vitet e para, piramida kriminale u thye në Itali, Austri dhe Maqedoni, u mbyllën rreth 400 kompani fiktive, përmes të cilave pastroheshin paratë e krimit, dhe më shumë se 300 persona u arrestuan. Një kompani e lidhur me manjatin serb Miodrag Kostiç u mbyll në Itali.
Drejtori i asaj kompanie kreu vetëvrasje në paraburgim, dhe Kostiç pësoi ishemi. Operacioni “Familja” prishi strukturën kriminale të Nikola Grujevskit, partnerit të Vuçiçit, i cili u largua nga Maqedonia dhe u fsheh në Hungari.
Operacioni goditi dhe në krahun tjetër, 78 persona u arrestuan në Kroaci, 11 të tjerë u arratisën në Serbi. Europol njoftoi se grupi kriminal kroat udhëhiqet nga njëfarë Jovan Jovanoviç, një ish anëtar i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë Serbe, i cili supozohet të jetë në Sombor, ku jeton ish-gruaja e tij. Hetimi i FBI -së dhe Europolit ka ngecur në Serbi. Policia dhe prokurorët serbë sabotuan aksionet kundër kriminelëve.
Nebojsha Stefanoviç, shefi i policisë serbe, u thirr në Shtetet e Bashkuara. Në një seri takimesh me drejtues kyç nga Ministria e Drejtësisë, FBI dhe DEA, Stefanovic u njoh me dëshmi të krimit të organizuar në Serbi, të udhëhequr nga Vuçiç. Amerikanët kërkuan që Stefanoviç të bëjë punën e tij dhe të mundësojë bashkëpunim të plotë midis Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe FBI -së dhe Europolit. Stefanovic ra dakod. Vuçiç reagoi me shpejtësi dhe e asgjësoi nga Ministria e Brendshme Nebojsha Stefanoviçin.
Vuçiç e di se nga po fryn era, e pranoi dhe kohët e fundit publikisht, në një intervistë televizive.
“Po, ata më përgjuan. Përgjimi i presidentit të shtetit është i barabartë me një grusht shteti. Drejtues në Ministrisë së Brendshme morën pjesë në këtë përgjim, me ndihmën e prokurorisë dhe gjykatave, por, siç e dini, nuk ishte pa të huaj, morën pjesë edhe shërbimet e huaja” – tha Vuçiç.
Shërbimet e huaja e kanë mbajtur Vuçiçin nën kontroll për një kohë të gjatë. Falë kësaj, ata arritën të dokumentojnë përfshirjen e tij në disa skandale kriminale. Vuçiç u dallua në prodhimin dhe tregtimin e drogës, kontrabandën e armëve, pastrimin e parave të fituara përmes aktiviteteve kriminale, korrupsionin e lartë shtetëror, i cili plaçkiti buxhetin e shtetit dhe vodhi pronën private. Disa prej skandaleve prodhuan pasoja me vrasje, viktima, larje hesapi në mes të Beogradit.
Aleatët amerikanë të Vuçic
Urdhri i Biden ruan fshehtësinë e emrave të personave dhe kompanive që janë ose do të jenë në listën e zezë. Kështu ka ndodhur dhe më parë, në kohën e Clinton. Lista e personave të papërshtatshëm në vitet 1990 përfshinte kryesisht politikanë, biznesmenë të mëdhenj, të dyshuar për financimin e partive dhe individëve të regjimit, si dhe pjesëtarë të policisë, ushtrisë dhe njësive paramilitare. Por atëherë nuk u fol për krim ndërkombëtar, korrupsion dhe krime të tjera, për të cilat tani po akuzohet klani i Vuçiçit dhe kolegëve të tij rajonalë.
Pikërisht për këtë arsye, e për t’u larguar sa më shumë nga akuzat për krim të organizuar, Vuçiç vendos spekulime përmes mediave të tij, në të cilat ai përpiqet të paraqitet si viktimë politike. Mediat e tij kanë hedhur disa teza, të cilat nuk janë krejtësisht të pabaza.
Vuçiç thekson se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian nuk e mbështesin urdhrin ekzekutiv të Biden. Në interpretimin e Vuçiç, SHBA-të po i zgjidhin problemet në Ballkanin Perëndimor me anë të forcës dhe shantazhit me qëllim goditjen e çdo ndikimi të Rusisë dhe sidomos Kinës.
Nën moton “Amerika është rikthyer me dorë të hekurt”, Presidenti Biden po rrit ndikimin në rajon në mënyrë të pavarur nga BE-ja. Kjo konfirmohet nga pjesa e urdhrit që kërkon nga autoritetet e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të respektojnë marrëveshjet ndërkombëtare si Marrëveshja e Prespës nga 2018, Marrëveshja e Paqes e Ohrit nga 2001, Marrëveshja e Dejtonit, Përfundimet e Konferencës së Londrës nga 1995, dhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas të njëjtit interpretim, Amerika synon ta shkëpusë përfundimisht Rusinë nga Serbia dhe të ndalojë depërtimin kinez në Evropë.
Të gjitha përpjekjet e Vuçiç kanë për qëllim që ai të paraqitet para publikut vendas si mbrojtës i interesave serbe në Kosovë, dhe të krijojë idenë se kjo është arsyeja pse ai është ekspozuar ndaj shantazhit të FBI-së, dhe jo për shkak të krimit dhe korrupsionit. Kështu sillen dhe kolegët e tij, politikanë kriminogjenë nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Publikisht, të gjithë refuzojnë të pranojnë se dekreti i Biden vlen dhe për ta. Askujt nuk i shkon mendja të shihet në pasqyrë.
Ndoshta përjashtim bën vetëm drejtuesi serb i Bosnjës Milorad Dodik.
“Urdhëri i Shtëpisë së Bardhë për zgjatjen e sanksioneve nuk është demokratike, as nuk është në frymën e respektimit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, u shpreh Dodik në një bisedë telefonike me ambasadorin amerikan në Sarajevë Eric Nelson. Dodik deklaroi se Republika Srpska nuk po synon shkëputje, por vendosmëria e saj është të luftojë për ruajtjen e autonomisë së saj, e cila i përket asaj sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.
Drejtuesit e partive shqiptare në Kosovë nuk reaguan ndaj urdhrit ekzekutiv të Biden. Kryeministri Albin Kurti tashmë, gjatë mandatit të tij të parë, të shkurtër dhe të pasuksesshëm, ka arritur të paraqitet si një faktor përçarës.
Ai sabotoi negociatat me Beogradin dhe u zemërua me fuqitë perëndimore duke zbuluar veprimet e paligjshme të përfaqësuesve të tyre. Amerikanët po i bëjnë presion Kurtit, duke këmbëngulur që Ramush Haradinaj të arrestohet dhe të dërgohet në Hagë. Aktakuza kundër Haradinajt është konfirmuar, por gjyqtarët francezë, me kërkesë të mentorëve të tij gjermanë, refuzojnë të paraqesin një kërkesë për arrestim.
Sundimtarët në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu në telashe. Ashpërsia e presionit varet gjithashtu nga përfaqësuesi amerikan në secilën ambasadë. Ambasadori amerikan në Shqipëri njoftoi menjëherë urdhrin ekzekutiv të Biden në Twitter.
Nga ana tjetër, Anthony Godfrey, ambasadori amerikan në Serbi thuajse e injoroi urdhërin e Biden. Për shkak të kompromentimit serioz në mbështetje të Vuçiçit, Godfrey është në listën e brendshme të zezë të Departamentit të Shtetit. Kjo vlen edhe për Matthew Palmer.
Së shpejti, kur Karen Donfried të emërohet Ndihmës Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Palmer do të duhet të largohet nga departamenti.
Vuçiç do të mbetet pa dy aleatë të rëndësishëm, Godfrey dhe Palmer, dhe ai nuk do të jetë në gjendje ta kompensojë atë humbje me mbështetjen që blen nga burokratët e Brukselit.
Telashet që kërcënojnë Vuçiçin shprehet më qartë në esencën e urdhrit të Bidenit – “asnjë politikë e strehës së sigurt”.
Nuk ka strehë për Vuçiçin. As në Amerikë, e askund tjetër.