Është kthyer në misterin e verës greke. Vdekja, me sa duket aksidentale e një ish-ministri socialist jo shumë larg portit të Eretrias, në ishullin Euboeas, Negroponte të Venedikut të lashtë, është një mister i pazgjidhur që ka tronditur dhe ndarë vendin për muaj të tërë.
Disa ditë më parë, edhe ish-kryeministri Giorgios Papandreu u ndje i detyruar të ndërhynte në Parlament, përballë refuzimit të autoriteteve hetimore për të nisur hetime të reja të gjithanshme, në vend që të ngulmonin në mbrojtjen e tezës së pamundur të sëmundjes së papritur, të kontestuar nga shumë dëshmi.
Sifis Valirakis, 77 vjeç, kishte lundruar vetëm në bordin e një gomoneje të vogël për të shkuar për peshkim, mesditën e një të diele në fund të janarit.
Trupi i tij u gjet nga roja bregdetare pak pas orës 8 të mbrëmjes, disa kilometra larg barkës me motorin ende në punë, pasi gruaja e tij kishte dhënë alarmin, duke mos e parë të kthehej. Ai kishte plagë të thella në fytyrë dhe kokë.
Një gisht ishte prerë. Hipoteza e parë e besueshme nga policia, ishte se Valirakis kishte pësuar një sulm në zemër dhe ra në ujë, ku u godit nga helika. Autopsia, megjithatë, mohoi menjëherë sulmin në zemër, duke arritur në përfundimin se ish-ministri ishte mbytur pas plagëve të tij. Sidoqoftë, si përfundoi në det, nuk është sqaruar kurrë.
Ishte gruaja e tij, piktorja e njohur Mina Papatheodorou, e cila që në fillim drejtoi gishtin tek një grup peshkatarësh që do të gjendeshin me anije të ndryshme në zonën, ku Valyrakis lundronte në kohën e tragjedisë. E veja, citon dëshmitë e njerëzve nga komuniteti i vogël i Eretrias, sipas të cilëve, disa varka e rrethuan gomonen e saj, duke e kërcënuar atë dhe duke shkaktuar valë të larta për ta bërë që të largohej.
Ish-ministri dyshohet se humbur ekuilibrin, duke rënë në det, pa e ndihmuar askush. “Hipoteza e vrasjes pa paramendim është e sigurt. Në fakt, Sifis u godit gjithashtu me një shkop, siç tha një nga dëshmitarët. Ata e goditën”, – thotë zonja Papatheodorou.
Tetë muaj më vonë, rasti Valyrakis është ende i hapur: “Ata nuk donin të bënin hetime serioze, – thotë zonja Papatheodorou. – Ata vetëm dëgjuan fajtorët javën e kaluar, por as nuk i lajmëruan. Ka qenë një aksion I organizuar nga Roja Bregdetare, e cila mbron peshkatarët e paligjshëm. Është skandaloze që nuk hidhet dritë mbi vdekjen e një heroi kombëtar, si Sifis”.
Në të vërtetë, Sifis Valirakis, nuk ishte vetëm një nga udhëheqësit historikë të PASOK-ut, Lëvizjes Socialiste pan-helene të themeluar nga Andreas Papandreu, ku ai kishte hyrë si klandestin, ende tridhjetë vjeç, gjatë diktaturës ushtarake.
Ai ishte një legjendë e vërtetë e rezistencës ndaj regjimit fashist të kolonelëve. Ai gjithashtu ishte trajnuar në një kamp të PLO-së në Liban dhe kishte marrë pjesë në sulme të shumta me tritol kundër regjimit, ku, megjithatë, nuk pati asnjë viktimë. Ai ishte miku i Alekos Panagulis, poet, i cili gjithashtu vdiq në një aksident të paqartë.
Valirakis u arrestua dhe u torturua në vitin 1971, ai arriti të shpëtonte nga qelia, duke prerë shufrat e dritares dhe duke shkaktuar një qark të shkurtër me eneregjinë elektrike në burg.
Ai u kap në kufi me Jugosllavinë dhe u dërgua në burg në Korfuz, por u arratis përsëri, këtë herë nga deti, duke notuar për kilometra të tëra në bregdetin shqiptar të Sarandës.
Nuk pati fat, sepse regjimi komunist i Enver Hoxhës në Tiranë e arrestoi si spiun, duke e dënuar me tre vjet punë të detyruar. Ishte Andreas Papandreu, me ndërmjetësimin e qeverisë kineze, ai që mori lirimin e tij.
Kur në vitin 1981, pas kthimit të demokracisë, Papandreu erdhi në pushtet, Valirakis ishte që në fillim ndër ministrat e tij më të besuar: ai u kujdes për Transportin, Komunikacionin, Sportin, deri në postin vendimtar të ministrit të Rendit Publik, gjithashtu përgjegjës për shërbimet dhe inteligjencës, një post që e mbajti deri në vitin 1996, kur doli në pension për arsye shëndetësore. Por ai mbeti anëtar i PASOK-ut, i zgjedhur në ishullin e Kretës, deri në vitin 2012.
Më 1 shkurt 2009, Sifis Valirakis u ndalua për disa orë nga autoritetet amerikane menjëherë pas mbërritjes së tij në aeroportin e Nju Jorkut, për shkak të revokimit të vizës për të cilën kishte aplikuar.
Ky kufizim, nxori në pah armiqësinë e vjetër të Valirakis kundër qeverisë amerikane, e cila në dekadën e viteve 1980 e kishte cilësuar atë si “themeluesin” e Organizatës Revolucionare të 17 Nëntorit.
Vitet e fundit, ish-ministri, i apasionuar pas detit, kishte qenë shumë i zënë, duke denoncuar peshkimin e paligjshëm dhe katastrofën mjedisore që po shkaktohej në arkipelagët e Detit Egje. Sipas një gazetari grek, Dimos Verykios, ai i Valirakis, mund të ketë qenë “krimi i parë ekologjik në Greqi”.
“Corriere della Sera”; Përshtati në shqip gazeta “Si”