Partia Demokratike pritet të dalë me një qëndrim zyrtar sa u takon raporteve me ish-kryeministrin Sali Berisha, pas shpalljes së tij “non grata” nga amerikanët.
Në 19 maj të këtij viti Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken përmes një vendimi, zbuloi se ish-kryeministrit Berisha dhe familjes së tij nuk iu lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi janë përfshirë në korrupsion dhe kanë investuar në minimin e demokracisë.
Por kur kanë kaluar thuajse 3 muaj nga ky vendim dhe në kushtet kur kreu i PD, Lulzim Basha nuk ka folur asnjëherë për shpalljen “non grata” të Berishës, gazeta ka mësuar nga burime shumë të sigurta, se Partia Demokratike do të mbajë një qëndrim zyrtar për Sali Berishën.
Pak ditë më parë gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat nga oborri i selisë blu, ambasadorja amerikane në Tiranë kërkoi hapur që PD duhet të distancohet prej Berishës dhe si duket ky ultimatum ka bërë që lideri demokrat të reflektojë. Mësohet se zoti Basha në javën e parë të shtatorit, përkatësisht disa ditë para se të konstituohet Parlamenti i ri, do të thërrasë mbledhjen e Kryesisë së PD, në të cilën do të diskutohet për fatin e ish-kryeministrit.
Madje, sikundër theksoi i njëjti burim për gazetën, mundësia më e madhe është që Kryesia e Partisë Demokratike e udhëhequr nga Basha të distancohet nga Berisha, ndonëse nuk ndihet nëse ish-kryeministri do të përjashtohet ose jo nga grupi parlamentar i demokratëve.
Pra, kjo lëvizje e Bashës vjen pas presionit në rritje të amerikanëve dhe disa deputetëve të PD, të cilët nuk e duan Berishën në Parlament, ç’ka do të thotë se shefi i opozitës është i detyruar që të mbajë një qëndrim zyrtar për ish-kryeministrin. Megjithatë, mbetet të shihet në javën e parë të shtatorit se çfarë do të ndodhë më konkretisht dhe se kush do jetë e ardhmja e Sali Berishës.
Deputetët dhe demokratët kërkojnë largimin e Berishës
Por sa më shumë kohë të kalojë, aq më i madh do të jetë presioni mbi kreun e PD-së, Lulzim Basha për të marrë një vendim, nëse është në anën e Berishës, apo në anën e amerikanëve. Deri tani ia ka dalë t’i japë formë një dyzimi “as mish as peshk” në lidhje me shpalljen e Sali Berishës “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, veprim ky që u vu re kur gazetarët e pyetën në konferencën e fundit që lideri demokrat pati me ta, teksa iu shmang përgjigjes.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo edhe deputetët e rinj demokratë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike kanë kërkuar largimin e Berishës. Sinjalin e parë e ka hedhur Mark Marku, i cili distancim nga Berisha. Sipas tij, Basha duhet të ishte distancuar nga Berisha dhe të kishte ndryshuar modelin e lidershipit në një model modern.
“Zgjidhja do të ishte një “ngrirje” për të mos u rënduar, për të mos e komplikuar këtë marrëdhënie me PD-në, një “ngrirje” e marrëdhënies, të Berishës me grupin e PD-së”, deklaroi Mark Marku. Nga ana tjetër edhe këshilltari i kryetarit të PD për pushtetin vendor, Roland Bejko theksoi pak ditë më parë se Berisha duhet të ishte distancuar nga struktura e PD që prej 2013-s. Sipas tij, Berisha nuk duhet të përdorë PD-në për vendimet e tij. /RIGELS SELIMAN