Gushti ka sjellë qetësi në radhët e politikës dhe drejtësisë, por shtatori do të vijë me zhvillime shumë të forta.
Ky sesion i ri parlamentar duket se do të jetë ndër më të ngarkuarit e viteve të fundit. Më 9 shtator mbahet seanca e parë plenare, ku do të betohen deputetët e rinj. Risia kryesore është se PD dhe LSI rikthehen në sallë, pas djegies së mandateve.
Zhvillimi tjetër që pritet me interes është qeveria e re. Së pari pritet që të ketë shumë ndryshime në kabinet. Shumë ministra janë informuar se do të largohen, ndërsa shumë të tjerë mund të ndryshojnë dikaster. Ndërkohë gazeta ka mësuar se disa deputetë që hyjnë për herë të parë në Parlament do të futen në qeveri.
Por ajo që pritet me interes është lëvizja e presidentit Meta. Qeveria e re duhet të dekretohet prej tij dhe në korridoret e politikës flitet prej javësh se Meta mund ta bllokojë qeverinë. Rama duhet të marrë mandatimin nga Meta për të formuar qeverinë dhe më pas të gjithë ministrat bashkë me kryeministrin duhet të betohen në Presidencë.
Mes Ramës e Metës kemi një konflikt të hapur dhe mbetet të shihet nëse do kemi surpriza nga ana e presidentit. Ndërkohë është folur gjatë dhe mbi mundësinë e një bashkëqeverisje mes PD dhe PS. Nuk dihet nëse themelet e saj do hidhen që në shtator, por sinjalet janë se po shkohet drejt një bashkëpunimi.
Shkarkimi i Metës
Një element tjetër që do të sjellë vjeshta është procesi në Kushtetuese për shkarkimin e presidentit. Sipas ligjit, në shtator Kushtetuesja duhet të dalë me një qëndrim nëse e pranon kërkesën e Kuvendit dhe nëse po, atëherë do të përcaktohet kalendari i seancave. Kushtetuesja është me 7 anëtarë momentalisht, por KLGJ me Gjykatën e Lartë dhe KED janë duke punuar që ajo të ketë 9 anëtarë kur të merret vendimi për presidentin. Kjo do të thotë se shtohen gjasat për largimin e kreut të shtetit.
Mandati i Berishës
Media dhe politika, por dhe qytetarët janë duke pritur të gjithë nëse Berisha do të ulet në karrigen e deputetit apo jo. Ai e ka shprehur hapur se nuk largohet, por sinjalet janë se do kemi zhvillime. Së pari pritet që KQZ të vihet në lëvizje për mandatin e tij. Së dyti flitet se mund të kemi zhvillime nga SPAK. Së treti, PD mund të distancohet prej tij. Sido që të jetë, nëse ai futet në Parlament do kemi reagime të forta nga amerikanët dhe ndoshta një krisje të PD me SHBA.
Drejtësia
Padyshim sytë janë dhe te drejtësia e re. Dy ngjarjet që priten me interes janë gjyqet ndaj ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ish-ministrit Saimir Tahiri. Llalla u dënua me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme dhe e ka dërguar në Apel çështjen. Pas disa zvarritjeve, më 9 shtator do të mbahet seanca e radhës, e cila do jetë vendimtare për fatin e tij.
Ndërkohë Saimir Tahiri u dënua me shërbim prove nga Shkalla e Parë dhe Apeli e ktheu për rishqyrtim. Ai iu drejtua Gjykatës së Lartë dhe më 28 shtator do mbahet seanca e parë kundër tij. Ndërkohë BKH ka nisur punë dhe në shtator priten rezultate në luftën ndaj korrupsionit. Pra vjeshta pritet të jetë mjaft e mbushur me zhvillime si në politikë, ashtu dhe në drejtësi.