Grupi i parë i afganëve pritet të mbërrijë sot në vendin tonë. Mbërritja e tyre ishte planifikuar ditën e djeshme, por kjo lëvizje u anulua për shkak të zhvillimeve të fundit në Kabul, të cilat bënë të mundur ndryshimet e orareve. Rreth 300 deri në 350 persona pritet që të mbërrijnë sot në vendin tonë ku përkatësisht janë gra dhe aktiviste të shoqërisë civile në Afganistan.
Avioni që do të sjellë afganët pritet të ulet në pjesën ushtarake të aeroportit në Rinas, ku momentalisht janë ngritur dhe disa tenda. Në këto tenda do të jetë ndalesa e parë e afganëve pasi ata do t’u nënshtrohen të gjitha verifikimeve mjekësore për të mësuar nëse dikush prej tyre ka nevojë për trajtim të specializuar mjekësor. Me shumë mundësi grupet e afganëve do të strehohen në godinat e Qytetit Studenti në Tiranë si dhe në disa hotele në Durrës, përkohësisht.
Autoritetet momentalisht parashikojnë që pas kësaj të gjendet një vendndodhje e re për afganët. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi se vetëm për pak javë afganët do të jenë në ambiente tona, më pas një tjetër mundësi parashikohet akomodimi në bregdet pasi të lirohen hotelet nga fluksi i verës, teksa do të vijojnë procedurat për të shkuar drejt SHBA.
Ja detajet për akomodimin e afganëve
Nga ana tjetër aktualisht janë identifikuar disa hotele në Durrës dhe disa prej godinave të Qytetit Studenti në Tiranë, me një kapacitet total për gati dy mijë persona. Si fillim ata do të strehohen në 7 godina me kapacitet 1200 shtretër në konvikte të rikonstruktuara me tualet vetjak. Afganët do të transferohen së bashku me familjet e tyre, por jo çdo person do të lejohet të strehohet në Shqipëri, pasi sipas marrëveshjes është specifikuar që do të pranohen vetëm ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të aleancës NATO-SHBA.
Operacioni në vendin tonë po koordinohet nga Ministria për Punët e Jashtme dhe Ambasada Amerikane. Më herët lidhur me akomodimin e tyre dhe organizimin u bë e ditur se do të kujdeset një prej anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Edi Rama, ku afganët parashikohet të ndahen në disa grupe duke u strehuar në struktura të veçanta.
Ndërkohë edhe ditën e djeshme ka vijuar lirimi i godinave në zonën e Qytetit Studenti nga studentët, vendin e të cilëve pritet ta zënë shtetasit të cilët pritet të mbërrijnë në Rinas sot.
Të rinj dhe të reja me çanta dhe valixhe janë larguar ndërsa sanitaret kanë nisur pastrimet fillimisht në godinat 4, 24 dhe 25 në Qyteti Studenti. Më herët gjatë ditës së djeshme u boshatisën po ashtu edhe godinat nr 7 dhe 8. Kujtojmë se Shqipëria konfirmoi të dielën zyrtarisht se i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së qeverisë amerikane për strehimin e qindra afganëve. Po ashtu Kosova dhe Maqedonia e Veriut e pranuan kërkesën dhe pritet që qindra afganë të strehohen edhe në këto vende.