Shpallja “non grata” nga SHBA cilësohet si hapi i parë i ndëshkimit për ish-kryeministrin Sali Berisha. Juristë, politikanë dhe analistë të ndryshëm shprehen vazhdimisht se ndaj tij duhet të ketë edhe një proces penal, pasi SHBA e akuzon për korrupsion. Gazeta pak ditë më parë e tha se ka nisur të qarkullojë një mesazh që paralajmëron hetimin e ish-kryeministrit në shtator.
Për juristin Romeo Kara dhe deputetin Petro Koçi, patjetër që vjeshta do të sjellë dhe hetime penale ndaj tij. Në një prononcim për gazetën, juristi Kara, deklaroi me bindje se Berisha do të jetë në bangën e të akuzuarve. “Berisha duhet të ndiqet penalisht dhe sigurisht që do të ndiqet penalisht, sepse ai është ideatori, realizuesi, frymëzuesi dhe garantuesi i këtij sistemi kleptokratik, patronalist dhe klientelist politik, i cili po e mban peng Shqipërinë prej 30 vitesh.
Berisha personalisht, është i zhytur në paligjshmëri deri në fyt dhe tashmë është tërësisht peng i së kaluarës së tij. Berisha qëndron si gur pengese në rrugën e këtij vendi drejt të ardhmes së tij normale, të shtetit të së drejtës, shanseve të barabarta dhe ndëshkimit të krimit. Berisha patjetër që do të ndiqet penalisht dhe do të ndëshkohet si zullumqari më i madh i këtyre 30 viteve, ndëshkim që do të jetë mësim dhe shembull për të gjithë të ngjashmit e tij sot dhe në të ardhmen”, tha juristi. Sipas tij, në 30 vite ai i ka shkaktuar vetëm të këqija këtij vendi.
Sipas tij, ka ardhur koha që ligji të veprojë. “Ai nuk do të ndëshkohet politikisht, por vetëm ligjërisht si: mashtrues, shpërdorues, i korruptuar, vjedhës dhe abuzues, si një person që ushtroi de facto një politike genocidiale ndaj popullit të tij. Konflikti i tij me SHBA-në është thjesht demagogji e tij, pasi e keqja e tij reale është vetë vepra e tij antiligjore dhe antishqiptare këto 30 vite…
Tashmë e njohim mirë Berishën, demagogjinë dhe të vërtetat e tij dhe jemi të qartë se ndaj tij ligji duhet të veprojë sa me shpejt duke i dhënë fund epokës së pandëshkueshmërisë. Nuk kam asnjë dyshim në ndëshkimin e tij”, tha ai.
Reagon Petro Koçi
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti socialist Petro Koçi. Sipas tij, Prokuroria Speciale nuk ka asnjë pengesë të nisë hetimet ndaj tij. “Pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Sali Berisha është askushi përballë shanseve për të bërë drejtësi në këtë vend. Dënimi moral e ka zhveshur atë përfundimisht nga kostumi i të pandëshkueshmit.
Përpjekja e tij dhe adhuruesve te stilit te tij për ta prezantuar këtë realitet si rrëzim të një flamurmbajtësi të nacionalizmës është një tragjikomedi më vete. Berisha është aq nacionalist për interesat tona kombëtare sa mund të jetë i tille ish-zëvendësi i Millosheviçit që quhej Bullatovic. Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka autoritet të plotë mbi çdo shtetas në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi Sali Berisha tashme është kandidat për statusin e personit që mund të hetohet lirisht”, tha Petro Koçi.