Presidenti Ilir Meta është i vetmi politikan në Shqipëri që nuk ka mbajtur asnjë një qëndrim zyrtar sa i takon strehimit të shtetasve afganë në vendin tonë.
Prej disa ditësh është bërë e ditur se qindra refugjatë politikë afganë do të strehohen në Shqipëri, lajm ky që ka shkaktuar mjaft debate dhe reagime në radhët e politikës, ku emra si kryeministri Edi Rama, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, etj. kanë përshëndetur ardhjen e tyre në vendin tonë.
Por i vetmi nga politikanët e lartë që nuk ka reaguar për këtë çështje të “nxehtë”, është pikërisht presidenti Meta. Ky i fundit ka përdorur këshilltarin e tij, Ilir Kulla për të sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vendimin e marrë për popullsinë afgane.
Ikja nga Afganistani, turpi më i madh i Perëndimit
Kështu përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Kulla, i cili është një ndër njerëzit më besnikë të Metës, shprehet se ikja nga Afganistani është turpi më i madh i Perëndimit në 70 vitet e fundit. Sipas tij, deklarata e amerikanëve se ishin afganët që dështuan dhe jo ata janë justifikime bajate.
“Kur dëgjoj justifikimin idiot “ikëm nga Afganistani se dështuan afganët të qeverisin se ishin të korruptuar”, më lind pyetja atëherë pse po i evakuoni të korruptuarit dhe të dështuarit dhe ata qindra-mijëra që keni braktisur në Afganistan? Ikja nga Afganistani është turpi më i madh i Perëndimit që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore!
Koha do të jetë dëshmitari më i mirë fatkeqësisht”, shkruan këshilltari i presidentit Ilir Meta, Ilir Kulla. Pra, në kushtet kur vetë presidenti Ilir Meta nuk ka pasur asnjë reagim në lidhje me çështjen e mbërritjes së afganëve në Shqipëri, ai me sa duket e ka mbushur këtë “boshllëk” reagimi me nxjerrjen e këshilltarit të tij për të sulmuar Amerikën, pasi në një farë mënyre në këtë histori ai doli tërësisht jashtë loje, për shkak se është kreu i shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Madje, faktin që në këtë çështje ka diçka që nuk shkon e tregon edhe lëvizja e Metës, i cili ka bërë 2-3 reagime çdo ditë në rrjetet sociale, por për strehimin e afganëve nuk ka gjetur kohë të flasë. Më herët edhe ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e LSI, Ylli Manjani, sulmoi kryeministrin Edi Rama për strehimin e përkohshëm të afganëve, të cilëve iu rrezikohet jeta nga talebanët.
“Siç e parashikuam! Gjasme humanizmi është thjesht kolla për të fshehur pordhët politike. Po të ishte për humanizëm nuk kishte pse të negocionte Amerika. Shtetet i bëjnë gjestet humanitare duke mirëpritur njerëz në rrezik e nuk bëjnë zë. Dhe s’ka pse ta zbulojë një agjenci lajmesh se ka bisedime, sepse qeveria humaniste e bën hapur vendimmarrjen e saj! Për humanizmin nuk kërkohet bisedime! Por është për politikë”, shkruan Manjani.