BE-ja dhe 20 vende të botës kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në lidhje me situatën e grave dhe vajzave në Afganistan pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
Deklarata është nënshkruar nga Shqipëria, Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, El Salvador, Bashkimi Europian, Hondurasi, Guatemala, Maqedonia e Veriut, Zelanda e Re, Norvegjia, Paraguai, Senegali, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për gratë dhe vajzat afgane, të drejtat e tyre në arsim, punë dhe lirinë e lëvizjes. Ne u bëjmë thirrje qeveritarëve dhe autoriteteve mbarë Afganistanit që të garantojnë mbrojtjen e tyre”, thuhet në deklaratë.
Gratë dhe vajzat afgane, si të gjithë njerëzit afganë, meritojnë të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet. Çdo formë diskriminimi dhe abuzimi duhet të parandalohet. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë dhe mbështesim, për t’u siguruar që zërat e tyre do të dëgjohen.
Ne do të monitorojmë nga afër se si çdo qeveri e ardhshme do të mbrojë të drejtat dhe liritë që janë bërë pjesë e jetës së grave dhe vajzave në Afganistan gjatë 20 viteve të fundit.
Rikujtojmë se në vendin tonë pritet që të mbërrijnë grupi i parë i azilkërkuesve afganë, të cilët do të strehohen në konvikte dhe hotele, në Tiranë dhe Durrës.