Talebanët duket se i kanë tradhtuar shumë shpejt premtimet e tyre për një qeverisje të re dhe më të moderuar nga ajo e dekadave më parë në Afganistan.
Video të tmerrshme kanë dalë sot nga Kabuli, ku hajdutë të dyshuar u torturuan në mes të qytetit. Në video shfaqen persona të dyshuar për grabitje që janë mbuluar me zift, dhe janë lidhur në kamionë duke u torturuar publikisht.
Po ashtu xhihadistët dyshohet se kanë qëlluar për vdekje një grua në një provincë rurale pasi ajo refuzonte veshjen e burkës. Më herët talebanët deklaruan se i detyrueshëm do të ishte vetëm hixhabi dhe jo burka. Të ashtuquajturit “Engjëjt e Shpëtimit” po shkojnë derë më derë dhe po marrin zvarrë dhe nën kërcënimin e armëve kundërshtarët politikë.
Të tjera pamje tregojnë luftëtarë talebanë në Aeroportin e Kabulit teksa mbajnë në duar kallashnikov dhe lëshues raketash, teksa qëllojnë në ajër pranë turmave të tmerruara. Ndërsa një ish-mësuese 21-vjeçare thotë se është “e burgosur në shtëpinë e saj” ndërsa luftëtarët talebanë kanë nisur bastisjet.