Deputeti i PD-së që i është gjendur i vetëm Sali Berishës pasi u shpall Non Grata nga SHBA, ka vijuar të sulmojë sërish Perëndimin dhe Amerikën.
Sipas tij, pas dështimit në Afganistan, SHBA duhet të ndryshojë politikë edhe në Shqipëri. Domethënë, gjuha shkon ku dhemb dhëmbi tek vendimi për Sali Berishën…
Shkrimi i plotë
Dështimi tragjik në Afganistan i Perëndimit mund të shërbejë si një “kambanë” e fortë shkundjeje edhe ndaj Shqipërisë! Në fakt, ajo çfarë ndodhi, po ndodh e do të ndodhë është e do të jetë tashmë një proces i gjatë, i vështirë, jo thjesht rajonal, por edhe gjeopolitik me pasoja negative e aspak të dëshirueshme në të gjitha aspektet.
Bota demokratike mori një goditje të rëndë; besimi e forca e saj janë lëkundur. Fondamentalizmi, radikalizmi, ekstremizmi e deri te terrorizmi kanë marrë “adrenalinë”, kanë fituar terren, siguruar mjete, financime, kërkojnë edhe të “drejtën e qytetarisë”, kur në fakt ngelin të njëjtët demonë, pavarësisht nga nuancat apo “makijazhin” e përkohshëm që kërkojnë të vendosin.
“Emiratet islamike të Afganistanit” do të kthehen në një model shtypjeje, mohimi të drejtash më themelore, burim trafiqesh, droge, dhune e ekstremizmi. Kohë më të vështira do të vijnë… Sidoqoftë, shumë gjëra do të sqarohen duke analizuar shkaqet, burimet e rrënjët e asaj që ndodhi. Por dikush më përmendi një thënie:
“Jo çdo e keqe vjen vetëm për keq”! Dhe mua në veçanti më “ngacmoi” kjo ide, pikërisht për vendin tim. Jam përpjekur të lexoj, të shkëmbej mendime me miq të huaj me aktivitet të rëndësishëm në Afganistan dhe Irak, me kolegë të politikës e gazetarë me eksperiencë për atë rajon, në këto ditë “zije” për të gjithë botën demokratike. Në shumicën e tyre dominon një mendim i përbashkët për një nga shkaqet kryesore të katastrofës, të asaj që ndodhi, që në të vërtetë më shfaq përpara realitetin shqiptar. Më thonë se aty në këto vite, Perëndimi, diplomatët e tij mbyllen sytë, heshtën, pranuan një regjim të deformuar për hir të një stabiliteti virtual, që përfundoi ashtu si përfundoi.
Për hir të kësaj u pranua e u mbështet një Qeveri e korruptuar, e lidhur me krimin, trafiqet, drogën. U tolerua një regjim i tillë që ndërtonte “saraje të arta” në atë vend ku mbizotëronte mizerja, droga, ku nuk kishte sistem social, që pa dyshim kështu do të shkëputej nga njerëzit e ata nuk do të luftonin për atë, edhe përballë tallaganëve të zinj. Edhe kjo është e vërtetë, ky fenomen ndodh me popujt e nëpërkëmbur, veçanërisht aty ku demokracia, vlerat e vërteta nuk janë akoma rrënjosur në ADN e tyre, siç është ai vend, por dhe Shqipëria me një histori të rëndë qindravjeçare pushtimesh lindore e diktatura.
Prandaj, aty ndodhi ajo që ndodhi, disa hordhi kriminale e endacake, pa uniforma, me disa motoçikleta të vjetra, e rrezuan në pak ditë atë ngrehinë virtuale për turpin e Perëndimit që mbylli sytë, veshët e gojën për vite me radhe përpara një realiteti në degradim, duke u “groposur” tashti shumë thellë edhe ato vlera e lirira, që po lindnin. Pikërisht kjo më duket si një “deja vu” e Shqipërisë me regjimin e saj sot, qeverisjen tonë këtu, me rrëshqitjen drejt autokracisë, Lindjes, lidhjeve me krimin, drogën, kanabizimin e vendit, lavatriçen e madhe të parave, thellimin galopant të varfërisë, papunësisë, degradimin e sistemeve sociale, deformimet e thella të demokracisë, që pa dyshim mund të rrisin pesimizmin shkatërrues, nëse nuk është në lartësinë e duhur dinamizmi politik kundërshtues.
Në këtë mënyrë, e gjithë kjo tablo përmbyllet te ne me braktisjen masive të vendit nga mungesa e shpresës, e vullnetit qytetar për t’iu kundërvënë së keqes e shpëtuar këtë vend… pikërisht ashtu siç po ndodh.
Dhe në ngjashmëri me atë histori afgane, brenda këtij realiteti shqiptar fatkeqësisht takon shpesh dhe një Perëndim, diplomatë që jo rralle e pranojnë si zgjidhje pragmatike “gjethen e fikut” të regjimit, duke luajtur rolin e “strucit”, nuk shohin as kanabisin kur ai lulëzon, nuk përmendin as raportet zyrtare të agjencive të ndryshme etj., apo ndonjëherë edhe më keq, gjë që pa asnjë dyshim ka pasoja thellësisht negative për zhvillimet, në një ambient me mentalitet e nivel pjekurie demokratike, siç është Shqipëria. Është pikërisht, pra, si me thonë për aty ata miqtë e mi, që u ballafaquan aktivisht me atë eksperiencë negative në Afganistan.
Prandaj shkrova që në krye: ndoshta kjo ndodhi e keqe për botën, mund të sjellë disa sinjale ndryshimi për Shqipërinë. Por kjo kërkon së pari që neve vetë të dimë të transmetojmë qartësisht këto mesazhe te njerëzit, që të kuptohet se talebanët e çdo forme qofshin, nuk janë larg dhe as iluzive, qofte edhe për ne, që ringjallja tragjike e tyre të shërbejë si një stimul zgjimi dhe për shqiptarët e përgjumur.
Por, nga ana tjetër, bazuar nga çfarë ndodhi aty larg, edhe partnerët tanë të pazëvendësueshëm e me influencë, diplomatët e tyre të nderuar në vend, duhet të përpiqen ta përkthejnë e shpërndajnë ne shqip atë mesazh të zi shkaqesh, që vjen nga Kabuli, apo edhe qoftë vetëm ta implementojnë atë a pjesë të përmbajtjes së tij, që i përshtaten dhe Shqipërisë.
Sepse ai mesazh në një pjesë kryesore tregon se konformizmi përballë se keqes qeverisëse për stabilitete virtuale, loja “kukamshefti”, mbyllja e syve a belbëzimet diplomatike kur duhet bërtitur, nuk sjellin asgjë të mirë, veçse përkeqësojnë perspektivat në mënyrë të tillë që askush nuk mund të parashikojë shpërthimet e pakontrolluara apo të nxitura nga forca të ndryshme dashakeqe.
Ndërsa i transmetuar në shqip apo më mirë i aplikuar në praktikë edhe pa “konferenca shtypi”, ai do të mund të lexohet e kuptohet qartë nga shqiptaret, do t’i ndihmojë ata konkretisht për të dalë nga apatia, për të marrë përgjegjësitë reale dhe për t’i kthyer ne motorë të ndryshimit jetik.
Së paku në këtë mënyrë, ajo eksperiencë negative e largët afgane do të jetë e vlefshme edhe për këtë vend të vogël, por thellësisht pro perëndimor.
Pikërisht këtë desha të përmend sot, duke pasur besim e shpresë vetëm tek e ardhmja jonë historike në BE, pranë SHBA, te rruga jonë e integrimit.