Sali Berisha 001 ka qënë gjithmonë. Që kur Ramiz Alia e përzgjodhi si komunist për të endur demokraci fallco. Edhe si pirat, edhe si sundues, edhe si kapiten, edhe si komunist, edhe si demokrat, 001 është.
001-shi, si numër burgu për Sali Berishën, ngjan si kod amerikan. 001-shin, e futi në “shishe” ambasadorja Yuri Kim, për të klasifikuarin “non-grata” nr.003.
Yuri Kim nuk e ngul “pickimin” e vaksinës antikorrupsion në krah, por bash në palcën kockore të “bakterit”.
Mbase, po ndeshemi me një moderim të procesit studimor, që burgosjet të nisin sipas shkallëve të krimit.
Po ç’është hierarkia e numrave?
Ja, e zëmë se numri 002 është Ilir Meta e 003 Fatmir Mediu, i bie 004-shi Lulzim Bashës e 005-a Monika Kryemadhi.
Numrat 006 dhe 007 do shkonin pastaj, thuajse të sigurte, për Edi Ramën dhe Fatos Nanon.
Pse vëmëndja është tek numri 001?
Ky kod, është fillesa e gjësë. Njëshi ngjan edhe si kod arab, edhe si kod piratësh.
Kapot e piratëve, o janë njësh, o s’janë fare. Para tyre çdokush është zero. Si përpara Sali Berishës. Aty, tek numri i parë, nis gjithçka.
E dini pse piratët kanë një sy?
Normalisht, vetëm se janë njësha. Në një anë të hundës kanë njërin sy, në anën tjetër, një shirit të zi.
Shpjegimi edhe në s’është i saktë, është i vërtetë.
Njëlloj si numrat tanë të elites së burgjeve, që nisin renditjen këtë shtator.
Në beteja të forta, nëse piratët e humbin njërin sy, kanë fituar medaljen e krenarisë së tyre.
E mbulojnë gropën qorre me shirit të zi, dhe bien në sy si trima që e kanë humbur njërin sy.
Kjo humbje, kjo dhimbje, ka shërbyer si krenari, si tmerr për kush guxon t’i ngucë.
Por, edhe kur pirati i ka të dy sytë, prapë e lidh njërin sy me fasho.
Bën sikur e ka humbur në një betejë grabitjeje.
Njëlloj si liderët shqiptarë. Edhe këta, sa marrin pushtet, marrin poza diktatorësh e hajdutësh. Pra, o janë hajdutë të mëdhenj, o të vegjël, por hajdutë gjithsesi.
E patë për shëmbull Hashim Thaçin, kur u arrestua në zyrë, se nuk jepte as dorëheqje. Mbante lidhjen morale të momentit me të shkuarën, për të cilën ju vunë prangat në zyrë.
Nën nofkën “Gjarpri”, i pëlqente të bënte piratin, të “lidhte njërin sy” si trim betejash, të deklaronte, se po e thërrasin për të ndihmuar drejtësinë në ca shkurtesa jetësh njerzore me vrasje, por që ishte ballëlart për to.
U nis për në Hagë, si 001 i Kosovës.
Edhe Sali Berisha 001 ka qënë gjithmonë. Që kur Ramiz Alia e përzgjodhi si komunist për të endur demokraci fallco.
Edhe si pirat, edhe si sundues, edhe si kapiten, edhe si komunist, edhe si demokrat, 001 është.
001 ka edhe targën e makinës.
Në të gjitha seritë, prej 30 vitesh, nuk ka guxuar askush tjeter 001.
Nga ky numër Vip, linden edhe targa të tjera Vipash. U frymëzuan vagabondet, politikanët, kriminelët, qeveritarët, gjithë manjakët e kurvërisë së zyrave plot para të shtetit, për targa alla Sali Berishë.
Hajdutët janë si fiqtë e Lali Erit, shohin njëri-tjetrin dhe piqen.
Pas targave të Saliut, numrat e telefonit u bënë të kërkueshëm me 007. Si të shokut Fatos Nano.
U pëlqente fudullëve me disa diploma të blera t’i ngjanin Fatos Nanos. Me numër celulari 007 në fund, dhe me targë makine 007, ata bëheshin mjeshtra të artit të komunikimit dhe të bixhozit, jo vetëm politik.
Numri është autoritet këtu. Edhe autoriteti numër është.
Dilni shihni nëpër rrugë.
Në kalon një targë Vip, kundravajtje, edhe në është plot drogë apo armë, polici largohet me vrap.
Hajde mos të ikë polici. Makina e merr përpara.
Çdo targë Vip, ka brenda një kriminel Vip dhe çdo kriminel Vip, ka një targë, një numër Vip.
Me këta Tipa-Vipa, po merret Shtëpia e Bardhë.
Sekuestro dhe burg cilitdo që ka abuzuar me paratë publike.
Moderim i procesit që nis në shtator Yuri Kim, me “vaksinën” antikorrupsion në zemër të krimit, në Parlament, për të kaluar pastaj edhe në Presidencë e qeveri.
Me numër nis, e me numër do të bitisë.
001, numri i Sali Berishës në burg. /Sokol Pepushaj/Pamfleti