Pritet që në vendin tonë të vijnë tre mijë afganë, ky numër është bërë me dije edhe nga kryeministri i vendit, Edi Rama.
Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe ish-oficeri i forcave speciale të FA, Denis Deliu. Duke qenë se ka shërbyer dy misione në Afganistan, ai thotë se marrja e pushtetit nga talebanët pas 20 vitesh është shumë e trishtë.
Deliu u shpreh se para disa vitesh shqiptarët ishin si afganët dhe se pritja e afganëve në vendin tonë është vendimi më i duhur për tu marrë për një popull në nevojë. Në Report tv, ai shtoi se refugjatët afganë nuk duhet të shihen si rrezik dhe se shteti ynë i ka të gjitha kapacitetet për t’i mbikëqyrur dhe monitoruar.
“Është një gjë e mirë që t’i presim. Jam dakord të vinë pasi ne dikur ishim afganët. Ata sot janë vend në nevojë dhe janë njerëz që bashkëpunuan me ne për një botë më të mirë për një Afganistan më të mire. Nuk përbëjnë rrezik pasi shteti shqiptar i ka të gjitha kapacitete gjurmuese dhe shërbimet sekrete për të monitoruar dhe mbikëqyrur secilin prej tyre dhe kuptuar se cili është.
Situata aktuale është e trisht pasi për 20 vite ne kontribuuam për atë vend dhe derdhëm gjak dhe situata përfundoi në mënyrë të tillë. Është për të ardhur keq, ne prisnim më shumë nga ushtria afgane pasi dhamë gjithçka për trajnimin e tyre”, tha ai.
Për ish-oficerin, talebanët kanë evoluar shumë në teknikat e tyre të luftës. Si një person që ka luftuar kundër tyre, ai tregon se ata arrijnë të infiltrohen brenda policisë afgane, administratës dhe qeverisë për të marrë informacione dhe vepruar në momentin e duhur.
“Ata kanë eksperiencë në luftë, pasi prej vitesh trajnohen nga grupe sekrete nga Rusia, Kina, Arabia Saudite e Pakistani. Mbetet një grup i rrezikshëm për shkak të taktikave që përdorin, kanë avoluar në teknikat e tyre. Në fillim përdorën pritat ndaj misioneve tona dhe kur panë që dolën të humbur nisën të përdornin minat. Më pas eksplozivet me telekomandë dhe sot kanë evoluar duke u infiltruar brenda policisë e qeverisë afgane. Bashkëpunëtorët tanë që para 20 vitesh kërcënoheshin nga talebanët se do të vriteshin bashkë me familjet e tyre sapo të vinin në pushtet”, tha Deliu