Konfirmimi i debatueshëm i shefes së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj u kthye në një çështje ndërkombëtare të martën, kur ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian si dhe Bordi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit me seli në Bruksel mbështetën njëri pas tjetrit rekomandimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për shkarkimin nga detyra të Imerajt.
Sipas ONM, Imeraj duhet të përballet sërish me vetingun për mangësitë në kriterin e pasurisë, shqetësimet mbi figurën, çështjet e aftësisë profesionale dhe mbi të gjitha –se ajo vlerësohet që ka rrezikuar ndjeshëm besimin e publikut mbi sistemin e drejtësisë.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj u shortua për rivlerësim në vitin 2018, por doli para KPK vetëm në fillim të këtij viti. Të paktën dy prej relatorëve të çështjes dhanë dorëheqjen, ndërsa Imeraj pati një debat të ashpër me vëzhguesin e ONM-së, Theo Jacobs gjatë seancës dëgjimore.
Jacobs paraqiti një sërë gjetjesh në fjalën e tij, përfshi dyshimet se Imeraj kishte tentuar të ndikonte në procesin e rivlerësimit përmes shantazhimit të një vëzhguesi ndërkombëtar dhe ndikimit të paligjshëm te njëra prej komisionereve të trupës.
Gjetjet serioze të Jacobs u injoruan nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, e cila vendosi ta konfirmojë unanimisht Imerajn.
Vetingu i kryeprokurores së Tiranës duket se ka shënuar një frakturë në marrëdhëniet mes vëzhguesve ndërkombëtarë dhe institucioneve shqiptare. Në deklaratat mbështetëse të martën, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe Bordi i ONM e konsideruan rastin “Imeraj” një çështje të rëndësishme për integritetin e procesit të vetingut.
“Të gjithë duhet të ndjekim nga afër se çfarë do ndodhë më pas. Përgjigjja do të jetë shfaqje guximi & integriteti në dhënien e drejtësisë apo, siç kemi parë shumë shpesh në të kaluarën, shmangie e përpjekjeve, duke sulmuar procesin e vetingut dhe përfolur vëzhguesit ndërkombëtarë?,” tha ambasadorja Kim.
Njëlloj, edhe Soreca tha se mbështeti plotësisht “rekomandimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për apelim” dhe se priste që Kolegji të bënte një shqyrtim të pavarur dhe me integritet të çështjes.
Bordi Ndërkombëtar i Monitorimit foli në emër të qeverisë së SHBA dhe Komisionit Europian, ndërsa ngriti pikëpyetje për integritetin e procesit.
“Në përputhje me rolin kushtetues, ONM ka bërë 18 rekomandime për apel.. Komisioneri Publik ka ankimuar të gjitha rastet e rekomanduara,” thuhet në deklaratën e Bordit të ONM.
“ONM mbetet e përkushtuar në rolin e vet kushtetues për të mbrojtur dhe mbështetur integritetin e procesit të vetingut përmes mjeteve ligjore në dispozicion dhe bashkëpunimit të mirë me organet e vetingut,” thuhet në deklaratë.
Rekomandimi i ONM
Në rekomandimin prej 26 faqesh, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk i kursen kritikat në rreshta për mangësitë e hetimit të KPK për pasurinë e Imerajt dhe ish-bashkëshortit të saj.
ONM thotë se hetimi i Imerajt duhet të fillojë nga një kredi prej 2 milionë lekësh marrë para martese, por për të cilën si garantues kishte shërbyer ish-bashkëshorti. KPK në vendim ka pranuar arsyetimin e Imerajt mbi kredinë dhe i ka cilësuar ato bindëse.
Por vëzhguesit ndërkombëtarë pretendojnë se ndryshe nga përfundimi i KPK-së, kjo kredi tregon ndër të tjera se kontrata paramartesore që pretendohet se ndan pasuritë e Imerajt dhe ish-bashkëshortit nuk qëndronte. ONM shprehet se kishte dyshime që kredia ishte përdorur në fakt nga bashkëshorti.
Sipas ONM, kredia për të cilën ish-bashkëshorti kishte qenë garant tregon se financat e Imerajt dhe ish-bashkëshortit ishin të lidhura “në mënyrë të pandashme”. Vëzhguesit përmes këtij pretendimi kërkojnë të rrëzojnë vendimin e Komisionit, i cili edhe pse gjeti probleme në pasuritë e ish-bashkëshortit të Imerajt, arsyetoi se ato ishin të ndara dhe se prokurorja nuk mund të mbante përgjegjësi për to.
ONM po ashtu nuk bindet nga arsyetimi i Komisionit se kjo kredi u pagua me të njëjtat para që nuk u përdorën. Sipas ONM-së, ky pretendim është i pabazë dhe se KPK duhej t’i kishte qëndruar arsyetimit fillestar për një mungesë prej 1.2 milion lekësh në burime të ligjshme për shlyerjen e kredisë.
Të ngjashme vëzhguesit cilësojnë edhe një situatë kur Imeraj shërben si bashkënëshkruese dhe garantuese e një kredie prej 100 mijë eurosh të marrë për blerjen e një apartamenti. Blerja që ka kaluar përmes disa transaksioneve dhe personave të ndryshëm dhe ku përfshihen nënshkrimet e disa kontrata, është sipas ONM-së e pahetuar plotësisht.
Sipas vëzhguesve, pretendimi i Imerajt se nuk kishte asnjë lidhje me këtë pronë për shkak të kontratës paramartesore rrëzohej nga fakti që ajo kishte nënshkruar për kredinë dhe në një kontratë noteriale në të cilën çmimi i apartamentit cilësohej 150 mijë euro. ONM ngre dyshime mbi çmimin e njësisë së blerë, mënyrën e përdorimit të kredisë dhe mos deklarimin e një huaje 55 mijë euro nga ish-bashkëshorti.
Njësoj ONM trajton blerjen e një njësie nga ish-bashkëshorti te ish-kunati. Sipas ONM-së çmimet ndryshojnë dhe prona kishte një vlerë shumë herë më të madhe se ajo për të cilën është bërë blerja.
Vëzhguesit këmbëngulin se pasuritë e ish-bashkëshortit dhe mundësitë e tij të ligjshme duhej të hetohen sërish. Kjo duhet të përfshijë blerjen e tre pronave jashtë Tiranës dhe shkëmbimin e tyre me një parcelë me vlerë mjaft më të madhe në kryeqytet. ONM ngre dyshime mbi shpjegimet e dhëna për dy kontrata noteriale, në të cilat përmendej një detyrim 80 mijë euro dhe shlyerja e tij.
Imeraj pretendon se diferenca në c çmim mes pronave ishte mbuluar në fakt nga detyrimet e papaguara të shërbimeve që ish-bashkëshorti i kishte bërë si avokat personit me të cilin është kryer transaksioni. Imeraj pretendon se kontrata noteriale në fakt ishin njohje e këtyre shërbimeve dhe që realisht shuma nuk ishte marrë asnjëherë në cash, por vetëm si pronë.
Por ONM thotë se këto shërbime nuk përmenden në kontrata noteriale dhe se ish-bashkëshorti nuk ka faturuar punë prej avokati për personin me të cilin kryhet shkëmbimi dhe as ka paguar taksa për përfitimin e kësaj pagese.
KPK i gjeti disa probleme te këto kontrata e pasuri, por i vlerësoi ato në të njëtën dritë si gjithë çështjen e pasurisë. Duke marrë për bazë kontratën paramartesore KPK shprehet se subjekti i rivlerësimit nuk kishte përgjegjësi mbi veprimet e ish-bashkëshortit për shkak të kontratës paramartesore. “Për krijimin e këtyre pasurive nuk rezultoi të jetë shprehur ndonjë vullnet i subjektit të rivlerësimit, nuk rezultoi ndonjë akt në të cilin subjekti të ketë disponuar në çfarëdolloj forme ndonjë nga këto pasuri”, thuhet në vendim.
Figura dhe profesionalizmi
ONM në rekomandim i kërkon Komisionerit Publik që të kërkojë në Kolegj hetimin e dyshimeve për një lidhje mes Imerajt dhe dy personave të dënuar në Itali në vitin 2002 për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni.
Sipas vëzhguesve, dy të dënuarit kanë të njëjtat gjeneralitete si ish-bashkëshorti dhe ish-kunati i prokurores. Personi që dyshohet si ish-kunati ka po ashtu të njëjtën datë dhe vit lindje në vendimin e gjykatës italiane, ndërsa për personin tjetër ndryshon viti i lindjes.
ONM thotë se KPK nuk hetoi mbi këtë gjetje. Vetë Imeraj kundërshtoi këtë pretendim. Ajo thotë në shpjegimet e saj se ish-bashkëshorti dhe ish-kunati kishin dëshmi të pastra penaliteti dhe asnjë institucion në Shqipëri nuk kishte informacion për përfshirje të tyre në vepra penale.
KPK vetë shprehet se nga hetimi “edhe pas verifikimit të dosjes së subjektit në SHISH në mënyrë të përsëritur”, nuk u gjetën probleme të figurës. Njëkohësisht mbi gjetjen e ONM-së, KPK thotë se për sa kohë informacioni nuk disponohej nga asnjë institucion në Shqipëri nuk mund të konstatohej “se ish-bashkëshorti i subjektit dhe ish-kunati kanë qenë apo janë të dënuar”.
Sipas ONM-së, arsyetimi i mëtejshëm i Imerajt se ajo nuk kishte pasur lidhje me ish-kunatin edhe pse kishin jetuar në një shtëpi, ngre dyshime mbi pohimet e saj. ONM kërkon që KPA të hetojë rastin dhe shprehet se ai lidhet edhe me pasuritë e ish-bashkëshortit që janë bashkëfinancuar nga vëllai.
Ndërkohë, ONM ngre dyshime edhe mbi profesionalizmin dhe etikën e Imerajt. Vëzhguesit paraqesin si gjetje një hetim ndaj disa të akuzuarve për trafik droge dhe kërkojnë nga Kolegji të shikojë nëse hetimet kanë qenë të plota.
Njëkohësisht, ONM ngre dyshime mbi divorcin e Imerajt në vitin 2019. ONM shprehet se kishte dyshime që ndarja ishte bërë për shkak të procesit të vetingut. Sipas vëzhguesve që kanë firmosur rekomandimin, Imeraj vijonte të jetonte në të njëjtën shtëpi me bashkëshortin dhe të afërmit e tij edhe pse kishte pretenduar në vendim gjykate se po ndahej pasi nuk mund të jetonte me të.
ONM kritikon gjithashtu si të fabrikuar një dokument të lëshuar nga një njësi administrative të Bashkisë së Tiranës në favor të Imerajt, ku thuhej se vendimi i gjykatës kishte përcaktuar që subjekti të jetonte në të njëjtën shtëpi me ish-bashkëshortin. Sipas ONM, vendimi i gjykatës nuk referonte asgjë të tillë.
Imeraj në kundërshtim të këtij qëndrimi e cilëson atë të bazuar në një denoncim anonim që ajo thotë është bërë nga persona dashakeqës. Imeraj thotë se divorci i saj ishte i ligjshëm.
“Zgjidhja e martesës ka rregulluar vetëm pasoja që lidhen ngushtësisht me jetesën time personale si individ, jetesën e fëmijëve të mi dhe asnjë lloj pasoje që mundet të ketë ndikim në procesin e rivlerësimit”, citohet Imeraj në vendimin e KPK-së. Komisioni po ashtu cilësoi se nuk kishte probleme mbi këtë çështje.
Gjetja tjetër e vëzhguesve ka të bëjë me sjelljen e Imerajt gjatë procesit të rivlerësimit dhe dyshimet e ngritura nga dëshmia e ish-vëzhguesit Hans Kjilistra përmes një letre dhe procesverbali i mbajtur në seancën e heqjes dorë prej ish-relatores së çështjes, Etleda Çiftja.
ONM këmbëngul se të shikuara bashkërisht këto dy qëndrime dhe sjellja e Imerajt gjatë seancës dëgjimore tregojnë për përpjekje për të ndërhyrë në procesin e rivlerësimit dhe për ndikim të paligjshëm pranë vëzhguesit dhe pranë KPK.
Imeraj i ka mohuar këto gjetje. Ajo ka cilësuar një letër ndaj ish-vëzhguesit si formale dhe ka mohuar akuza për përgjime apo ndjekje. Imeraj ka pretenduar padijeni mbi motivet e dorëheqjes së Çiftjes.
Arsyetimet e saj janë pranuar nga Komisioni, por ONM kërkon hetim të këtyre çështjeve dhe një vlerësim tërësor të tyre në lidhje me “cënimin e besimit të publikut te drejtësia”. /Nga Vlaimir Karaj