Kryeministri Edi Rama duket se është në dilemë për kreun e ri të Kuvendit dhe kabinetin qeveritar.
Dorëheqja e Gramoz Ruçit nga politika ka shkaktuar një boshllëk në radhët e socialistëve, për shkak se kur na ndajnë edhe rreth dy javë nga betimi i Parlamentit të ri, kryeministri Rama nuk e ka ende emrin e zëvendësuesit të tij.
Gazeta ka mësuar se shefi i qeverisë ndodhet në një situatë të sikletshme, pasi asnjë nga 74 deputetët e PS të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit nuk i afrohet Ruçi. Kështu që nisur nga kjo gjë, mësohet se Rama e ka shtyrë nominimin, duke mos e ndarë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt zyrtarizimin e pasardhësit të Gramoz Ruçit në krye të Parlamentit, sepse është duke peshuar propozimet dhe alternativat e mundshme.
A po jepen sinjale për një bashkëqeverisje PD-PS?
Por gjetja e pasardhësit të Gramoz Ruçit nuk është e vetmja dhimbje koke që po kalon kryeministri Edi Rama në këto ditët të nxehta gushti, pasi ai nuk ka ende gati edhe kabinetin e ri qeveritar. Gazeta e deklaroi në numrin e kësaj të shtune që kryeministri Rama vijon të mbajë në akth deputetët dhe ministrat sa u takon angazhimeve të tyre në të ardhmen në nivel partie dhe qeverisje, fakt ky që e forcon edhe shtyrja pa afat e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, për të cilën u tha se do të mblidhej në fund të gushtit, por që nuk ka ende asnjë datë.
Mirëpo sikur të mos mjaftonte ky terr informativ se kur do të mblidhet Asambleja, burime nga selia rozë i thanë gazetës se ministrat ndihen në ankth edhe për zërat e një bashkëqeverisje PS-PD dhe faktin se kryeministri Rama ka vendosur që emrat, pra deputetët që morën më shumë vota në 25 prill, do t’i katapultojë në qeverinë e re. Kështu që, fakti që nuk ka ende një datë për mbajtjen e Asamblesë dhe zyrtarizimin e qeverisë së re, shton dyshimet se kemi dhe një shkelje syri ndaj PD.
Sipas burimeve, ndërkombëtarët po luftojnë fort që të kemi një bashkëqeverisje mes PD dhe PS. Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, i bëri thirrje pak ditë më parë PS-së të bashkëpunojë me opozitën. “Teksa PD kthehet në Parlament, do jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit”, deklaroi ambasadorja Kim.
Madje, një bashkëpunim të mundshëm PS-PD, po e tregon edhe retorika e moderuar politike e ndjekur ditët e fundit nga kryedemokrati Lulzim Basha. Ky i fundit pak ditë më parë mbështeti hapur qeverinë për strehimin e afganëve që rrezikohen nga pushteti i talebanëve, ndërkohë që dje teksa ka uruar në rrjetet sociale të gjithë besimtarët për një marshim të mbarë në malin e Tomorit, iu bëri thirrje autoriteteve që të lehtësojnë qarkullimin e mjeteve dhe të jenë më të vëmendshëm për çdo lloj emergjence shëndetësore.
“Mali i Tomorit është burim paqeje, shprese harmonie për të gjithë shqiptarët. u bëj thirrje autoriteteve të lehtësojnë qarkullimin e automjeteve dhe të jenë të vëmendshëm për çdo emergjencë shëndetësore”, shkruan Basha.