Talebanët nuk do të lejojnë që shtetasit afganë të shkojnë në aeroportin e Kabulit, për shkak të situatës kaotike atje, ka deklaruar ditën e sotme zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid.
Gjatë një konference për media, ai tha se njerëzit e mbledhur në aeroport duhet të shkojnë në shtëpi, duke shtuar se siguria e tyre do të garantohet.
“Ne kërkojmë nga amerikanët, që të mos inkurajojnë afganët që të largohen… ne na duhet talenti i tyre”.
Ndërkohë që gjatë konferencës së sotme Mujahid tha se nuk mendon se afati për evakuimin nga Kabuli do të shtyhet.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden ka thënë se ai shpreson që deri më 31 gusht të mund të tërhiqen të gjitha forcat amerikane, por ai po përballet me presion nga aleatët evropianë dhe Britania që ky afat të zgjatet, tëmë për të cilën do të diskutohet edhe në samitin online të G7.
Sipas Mujahid, ka kohë të mjaftueshme që shtetasit e huaj të largohen deri më 31 gusht dhe tha se talebanët “nuk janë në favor” që shtetasit afganë të lejohen të largohen.
Talebanët morën kontrollin e kryeqytetit afgan, Kabul më 15 gusht, teksa forcat amerikane kishin nisur që të tërhiqeshin nga Afganistani. Nga frika nga talebanët, mijëra afganë i janë drejtuar aeroportit të Kabulit për të ikur nga shteti.