Bledar Muça, pronar i bar “PEDONALE” në qytetin e Lushnjes u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e djeshme, në biznesin në pronësi të tij. Një plumb në zemër i shkaktoi atij vdekjen e menjëhershme, ndërsa të plagosur mbetën dhe kunati i tij dhe 3 klientë.
Shkaqet e ngjarjes së rëndë që tronditi Lushnjen mbrëmjen e djeshme janë ende të paqarta, pasi vetë Bledar Muça nuk rezuklton të jetë person i dënuar më parë. Edhe nga burimet, është bërë me dije se viktima ishte një person i qetë dhe joproblematik.
Të plagosur mbetën: Judin Velo, 32 vjeç (kunati i viktimës), Sara Liçi, 24 vjeçe dhe Ervis Tafa, Eksara Sauli, 26 vjeçe dhe Majlinda Gjyla, 66 vjeçe.
Mësohet se bashkëshortja e biznesmenit Bledar Muça, që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në mes të Lushnjës me breshëri kallashnikovi, është mbesa e Roland Shytit. Ky i fundit njihet në qytet dhe me nofkën “Mustaqekuqi”.
Top Story 1 vit më pare bëri një emission me titull: Lufta e egër mes bandave të Lushnjes për tenderat, përplasja me “Hakmarrjen për Drejtësi”.
Në fillim të vitit 2002, një luftë e re do të niste në Lushnje. Pas asgjësimit total të bandës së Artur Dajës, një grupim i ri kërcënonte mbretërimin e Aldo Bares, djemtë e të ashtuquajturës “Hakmarrja për Drejtësi”.
Grupet kishin hedhur sytë nga fondet e majme shtetërore. Tenderat kontrolloheshin nga bandat. Pikërisht përplasja për një tender shkaktoi 5 viktima dhe disa të plagosur.
Konflikti doli zbuluar nga përgjimet e Italisë. Siç shihet në transkiptin e këtij përgjimi, Aldo Bare komunikon me Enver Dondollakun dhe flasin për tenderin prej 1 milionë euro për pastrimin e qytetit. Aty thuhet se Roland Shyti i “Hakmarrjes për Drejtësi”, i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”, kishte marrë një kapar prej 500 mijë dollarësh nga bashkia.
Kompania e Shytit ishte vendosur me seli në një dyqan përballë stadiumit Roza Haxhiu dhe figuronte në emrin e Bernard Linatopit, djalit të sekretarit Organizativ të PS në Lushnje, Qani Linatopi.
Në 16 Prill të vitit 2002, Bernardit i bëhet atentat pranë stadiumit. Fatmirësisht ai shpëton. Disa ditë me vonë, vritet me pistoletë njeriu i Roland Shytit, Alfred Pirra. Për të dy ngjarjet është akuzuar Dritan Vila, pjesëtar i bandës së Aldo Bares.
Arma e Vilës u gjet në një makinë në 11 shkurt të vitit 2003 në afërsi të disa tuneleve në periferi të Lushnjes ku u vranë anëtarët e bandës, Gentian Kulla dhe Sokol Çela.
Kulla dhe Çela u vranë nga një person që e kishin marrë peng. Në një moment pakujdesie, ai u rrëmben armën dhe i vret. Gazetat e kohës shkruanin se u ekzekutuan dy më të fortët në Lushnje, që ishin në urdhrat e Aldo Bares.
Këto informacione të dala në media irrituan kapobandën. Në një bisedë të përgjuar në 13 shkurt nga italianët, Dondollaku informon Aldon se do fliste me drejtorin e Policisë kriminale për të zbuluar se kush i ka nxjerrë informacionet. Ai telefonon një person të quajtur Bashkim, dhe i kërkon llogari.
Dondollaku, apo siç njihej me nofkën “Goni”, i kishte të zakonshme telefonatat me krerët e policisë. Në nëntor të vitit 2002, ai flet me drejtorin e policisë Fier të identifikuar me emrin Hasan duke i kërkuar të lërë punën pasi po u hap probleme. Ai, ia kthen se nuk është marrë me ta.
Po në atë periudhë vritet Judmir Trifka si dhe plagoset Artur Shehu, të njohur si njerëz të afërt të Roland Shytit. Nga grupi i Aldo Bares u vra Ilir Boriçi, një bilanc tepër i rendë për konfliktin e nisur për një tender që do të anulohej pas këtyre ngjarjeve. Banda e Aldo Bares ishte vënë në sulm për të shtënë në dorë çdo pasuri të vlefshme. Në 16 Nëntor të vitit 2003 plagoset Arben Kicja, që shndërrohet me pas në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Ai u plagos nga anëtari i bandës së Bares, Rexhep Gina. Thuhet se atentati ndaj Arben Kicjas ishte për shkak se i kishte dalë në mbrojtje Shkëlqim Haxhiut në konfliktin që kishin pasur për pronësinë e një pjese të ish-hotel Myzeqesë.
Haxhiu, është i njëjti person që në vitin 1998 banda i kishte djegur banesën. Në 11 Janar të vitit 2005, grupi ekzekuton Klodian Haxhiun, djalin e Shkëlqimit. Ai u vra pranë banesës në vendin e njohur si “Ypsiloni” në Lushnje.
Këtë here konflikti lidhej me privatizimin e ish-hotel Myzeqesë, por edhe me çështjet e vjetra. Haxhiu konsiderohej i afërt me ish-armikun e betuar Artur Dajën.
Kjo ngjarje mund të jetë pikënisja e ringjalljes së hakmarrjes që do të riaktivizohet shumë vite me vonë.
Megjithatë nuk dihet ende se cilat janë arsyet e vrasjes së biznesmeit në Lushnje, por policia po heton dhe lidhjet që ai ka me familjen e Roland Shytit.