Pas disfatës që pësoi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Monika Kryemadhi duket se ka braktisur Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Si çdo verë edhe këtë herë të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim janë mbledhur në kamp në Jalë, eveniment ky që promovohej shumë fort nga zonja Kryemadhi. Por dje që ngriti siparin ky eveniment, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk ishte e pranishme, ndërkohë që fjalën hapëse dhe përshëndetëse e mbajti nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, i cili vlerësoi praninë e të rinjve të LRI në Jalë.
Vasili merr frenat e partisë
Por gjatë fjalës së tij para të rinjve të Forumit Rinor, nënkryetari i LSI-së u kujdes që t’i dërgonte edhe një kërcënim qeverisë, ndërsa e konsideroi kampingun si një vend ku po përgatiten luftëtarë të rinj për t’u ndeshur me kryeministrin Edi Rama.
Prerë dhe qartë, Vasili iu bëri thirrje të rinjve që mos të rinë nëpër rrjetet sociale, por sipas tij, ata duhet të jenë në sheshe duke protestuar për rrëzimin e qeverisë. Sipas tij, ka ardhur koha që të rinjtë të marrin në dorë fatet e tyre, ndërsa theksoi se sezoni i ri politik në vjeshtë duhet t’i gjejë të gjithë të bashkuar. “I kërkoj qeverisë të marrë masa për COVID-in. E dini se çfarë ndodhi.
Kufizimet ishin vetëm propagandë, por mijëra njerëz humbën jetën. Qindra mijëra të tjerë e kanë kaluar me probleme të mëdha. Kanë marrë para borxh për të përballuar. Ky është realitet. Kush do i japë përgjigje? Këtë përgjigje duhet ta japim ne vetë. Do të vijë në kamp si djalë e një vajzë e re, por do të dalë nga këtu si një djalë dhe një vajzë me mendjen e një qëndrestari.
Nuk mund të rrimë nëpër “Facebook-e” ku na kërkohet të jemi në majë të qëndresës për të siguruar të ardhmen. Koha është e vështirë, kërkon njerëz që luftojnë dhe një luftëtar i mirë nuk njeh moshë. LSI luftoi, që të rinjtë të mos iknin nga malet e nga kodrat. Në rast se do të harroni, sepse s’keni ardhur për të kaluar disa ditë interesante, por duhet të mendoni gjatë sepse duhet të ktheheni me një mendim e karikim të ri, që muajt që na presin të jemi së bashku”, deklaroi Vasili.
Por këto thirrje për luftë të artikuluara nga goja e nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili tregojnë qartë se në kushtet kur Monika Kryemadhi ka braktisur partinë, presidenti Ilir Meta ka mandatuar pikërisht ish-ministrin e LSI për të karikuar të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim për protesta kundër qeverisë “Rama”.
Megjithatë, siç edhe u pa në pamjet LIVE që u transmetuan në media mbrëmjen e së hënës nga çelja e kampingut në Jalë, LSI nuk është më ajo parti që ka mbështetje, pasi kampi dukej bosh, ndërkohë që në Parlamentin e ri ajo do të përfaqësohet vetëm me 4 deputetë nga 19 që kishte.
Kështu që të ndodhur përpara kësaj situate, presidenti Meta ka mandatuar Petrit Vasilin të përgatitë për luftë anëtarët e fundit të mbetur në parti, me shpresë se qeveria e re do t’i ketë ditët e numëruara. Nga ana tjetër, i tregoi edhe muskujt qeverisë, kur theksoi se votat e LSI-së janë shkëmb graniti, ku sipas tij, kryeministri Edi Rama, do thyejë kokën.