Policia e Vlorës ka vënë në pranga autorin e vrasjes së 25 vjeçarit Xhuljan Bullari, i cili u gjet i ekzekutuar disa ditë më parë në makinën e tij në fshatin Babicë të Vlorës.
Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes policia organizoi operacionin “Babica” në fund të të cilët u arrestua në zonën e Bllokut në Tiranë, 39-vjeçari Bledar Selmanaj, i dënuar më parë për krime të ndryshme.
Autorit iu sekuestrua arma e krimit dhe një armë tjetër me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Bledar Selmanaj, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta.