Qeveria e re “Rama 3” do të prezantohet javën e ardhshme. Kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje Këshillin e Ministrave ku ka mbajtur fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë qeverisës, ndërsa e ka cilësuar këtë rrugëtim 4-vjeçar të ekzekutivit si pozitiv edhe pse u has me dy sfida të mëdha, atë të tërmetit dhe pandemisë.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama zbuloi se një pjesë e ministrave aktualë nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ri qeveritar, të cilët i falënderoi që ka bashkëpunuar, ndërkohë që zbuloi se qeveria e re “Rama 3” do të bëhet publike javën që vjen. Sipas tij, qeveria e re kërkon energji dhe për këtë arsye ai është kujdesur që të caktojë emra që përmbushin këtë kriter.
“Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju normalisht do të vijoni punën deri në minutën e kalimit të detyrës pa lënë asnjë minutë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati 4-vjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon një kryesi efektive dhe një stol rezervash për të pasur mundësi për energjizimin e skuadrës”, deklaroi ai.
Ja emrat që pritet të ikin
Por gjatë fjalës së tij të gjatë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi edhe furtunë në radhët e ministrave, sinjale këto që dolën në pah nga mënyra kur shefi i qeverisë skanoi punën e çdo ministri. I drejtpërdrejtë në atë që tha, kryeministri Rama ka shfaqur kritika për dy sektorë në veçanti, atë të Turizmit dhe të Arsimit, duke lënë të nënkuptohet se ministrat Evis Kushi dhe Blendi Klosi janë dy më të rrezikuarit për të qenë pjesë e qeverisë “Rama 3”.
Për Ministrinë e Turizmit të drejtuar nga zoti Klosi, Rama theksoi se pati probleme me menaxhimin e plehrave në zonat turistike dhe administrimin e plazheve. Ndërsa për fushën e arsimit, kryeministri theksoi se ka ende për të bërë si në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë. Pra, kjo deklaratë tregon se Kushi dhe Klosi rrezikojnë të jenë ministra. Po ashtu, në qeverinë e re duket se do të mungojë edhe zv/kryeministri Erion Braçe. Dje ai reagoi me një postim në rrjete sociale, ku përveç largimit nga qeveria, dukej se jepte sinjale dhe për largim nga politika.
“Ka një fund! I nderuar që shërbeva për njerëzit në nevojë në ditët e tyre më të vështira në 24 vitet e fundit! Thumanë 2019”, shkruan Braçe. Ndërkohë, gazeta ka mësuar se kryeministri Rama për shkak të drejtësisë, mund të penalizojë edhe 3-4 ministra të tjerë, pasi në kushtet kur ndaj tyre ka dosje në SPAK, ai ka zgjedhur të distancohet prej tyre, në mënyrë që të shmangë një kosto politike në mandatin e tretë.
Ja prurjet e reja në qeverinë “Rama 3”
Por për të mbushur boshllëqet në qeverinë e re si pasojë e largimeve, mësohet se kryeministri Edi Rama është kujdesur që të bëjë prurje të reja. Sipas informacioneve, mësohet se Frida Krifca, drejtoresha aktuale e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR), pritet të zëvendësojë Milva Ekonomin në krye të Ministrisë së Bujqësisë. Po ashtu, thuhet se edhe Ministra e Transporteve do të ndahet nga Energjia, ku në krye të kësaj të fundit flitet se do të shkojë ish-kreu i OSHEE, Ardian Çela.
Nga ana tjetër, mësohet se pritet të rikonfirmohet si ministër Arben Ahmetaj, Elisa Spiropali dhe Belinda Balluku. Për këtë të fundit, sipas burimeve nga selia rozë, kryeministri Rama ka shumë respekt dhe pritet që t’i besojë asaj edhe postin e zv/kryeministres dhe madje atë të kreut të PS të Tiranës. Po ashtu pritet që në qeveri të futen disa emra që u zgjodhën deputetë për herë të parë. Një prej tyre pritet të drejtojë Ministrinë e Energjisë. Po ashtu dhe te Financat pritet të emërohet ministër një deputet i njohur. Ndërkohë mister mbetet kush do jetë kreu i Kuvendit.