Qeveria shqiptare ka ngritur një njësi Task-Forcë për pritjen e shtetasve afganë. Në një mbledhje të zhvilluar ditën e djeshme u bë me dije se është ngritur edhe një Task-Forcë në përbërje të së cilës janë 7 ministri, e drejtuar nga Ministria e Jashtme.
Të tjera ministri në përbërje të Task- Forcës janë Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Çuçi, e Mbrojtjes nga Niko Peleshi, e Financave e drejtuar nga Anila Denaj, ministria e Arsimit nën drejtimin e Evis Kushit, ajo e Shëndetësisë e drejtuar nga Ogerta Manastirliu dhe ministria e Turizmit nga Blendi Klosi.
Sipas vendimit të qeverisë kjo Task-Forcë, ka disa detyra kryesore që nisë në fazën e parë me negocimin me ndërkombëtarët, për të vijuar më pas me menaxhimin e fluksit dhe koordinimin e akomodimin e tyre pas mbërritjes në Shqipëri e deri te menaxhimi i buxhetit i vënë në dispozicion për shtetasit afganë.
Në këtë vendim të firmosur nga kryeministri Edi Rama, thuhet gjithashtu se ekziston mundësia që afganëve t’u kufizohet liria e lëvizjes, por ky vendim do të merret nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët nëse konsiderohet e nevojshme, vetëm mbi bazën e vlerësimit individual dhe jo në grup.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr. 10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi:
1. Dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar”, thuhet në vendim.
DASH nuk ka ende një datë për mbërritjen e tyre
Por, pavarësisht vendimit të marrë nga qeveria për ngritjen e Task-Forcës, ende nuk ka një datë kur shtetasit afganë mund të mbërrijnë në vendin tonë. Që kur Shqipëria vendosi të pranojë të strehojë afganët dhe kryeministri Edi Rama tha se vendi ka kapacitete për të pritur shtetas afganë, ka pasur disa data se kur ata mund të mbërrinin në vendin tonë, por ende nuk është vendosur një datë përfundimtare. Për këtë situatë Departamenti Amerikan i Shtetit, i pyetur nga Deutsche Ëelle, tha se për shkak të komplikacionit të evakuimit nuk mund të japë informacione në lidhje me kohën e mbërritjes.
Kjo sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, bëhet edhe për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e afganëve që pritet të evakuohen. “Për shkak të natyrës së komplikuar të këtyre zhvendosjeve dhe për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e personave që vijnë, nuk kemi mundësi të ofrojmë informacione të tjera për kohën e mbërritjes, transportin, vendndodhjen lokale dhe destinacionin e mëtejshëm”, tha DASH.