Xherdan Shaqiri nuk arriti që të siguronte hapësirën e duhur te Liverpuli i Klop. Futbollisti vendosi që të niste një aventurë të re në karrierë duke shkuar te Lyon në “Ligue 1”.
Mediat angleze kanë raportuar së fundmi edhe një histori vërtet të veçantë. Në vitin 2019, Shaqiri kishte vendosur që të shkonte për mbjellje të flokëve dhe nuk i kishte thënë asgjë trajnerit.
Megjithatë futbollisti nuk ishte shumë i informuar dhe pasi mbaroi me procesin kuptoi sesa kujdes duhet të bënte.
Shaqirit i ndalohej që të godiste topin me kokë për një muaj. Kështu lojtari ishte i detyruar që t’i tregonte gjithçka Klop, mbi arsyen që e ndalonte të stërvitej rregullisht dhe të grumbullohej në ndeshje, pasi nuk kishte informacionet e duhura për mbjelljen e flokëve.
Trajneri e kuptoi dhe Liverpuli doli me një njoftim të rremë se lojtari ishte dëmtuar dhe nuk do të shihej në fushë për dy muaj. Shaqiri do të kthehej në fund të vitit 2019 dhe do të shënonte menjëherë gol, ndërsa tifozët kuptuan se disa flokë më tepër kishin mbirë. /Sport Ekspres/