Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij më mbledhjen me deputetët e rinj dhe të vjetër të PS-së, ka ironizuar ish-kryeministrin Sali Berisha.
Duke e cilësuar si dhëmballë të prishur, kreu i qeverisë thotë se PD nuk ka kurajo ta shkulë teksa Berisha do të hyjë në Parlamentin e ri në shtator.
Sipas Ramës, beteja nuk është me PD-në, pasi në fund nuk do gjykohen se çfarë i bënë demokratëve, por sa lart do e ngjisin Shqipërinë.
”PD do të vijë me dhëmballë të prishur, as nuk ka kurajo ta shkulë, as vullnet ta shqetësojë. Nuk është arsye për tu marrë me dhëmballën e saj, as për të gëzuar për shpërfytyrimin e PD.
Sa kohë dhëmballa do të jetë aty, fytyra e PD do të jetë e pavotueshme. Ne nuk e kemi pasur prej kohësh, edhe pse kemi lënë përshtypje, nuk duhet të kemi në fokus luftën me PD.
Në fund të këtij mandati, nuk do të vlerësohemi për çfarë thamë e çfarë i bëmë PD-së, do të gjykohemi për sa më lart do ta ngjisim Shqipërinë.
Luftën tonë ne e kemi me problemet e vendit dhe hallet e shqiptarëve, me opozitën kemi betejën politike, patjetër do e bëjmë, por me një qasje e cilësi të ri. Kemi eksperiencën e nevojshme për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik”– tha Rama.