Nga Ndue Ukaj
Meqë është ditëlindja e Zef Pllumit, po e ri postoj një poezi të tijen i bindur se andrra për të cilën shkruan Pllumi është andrra e çdo shqiptari të sotëm që beson se “dashnia nuk vendoset me dhunë.”
Lexuesit shqiptarë, At Zef Pllumin e njohin kryesisht si autor të librave monumentalë, “Rrno vetëm për me tregue”, “Histori kurrë e shkrueme”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Saga e fëmijnisë”… Por, ai ka shkruar edhe poezi, dhe ato i ka botuar në librin “Antipoezi për shekullin njëzetë (Poema antiepike)”, me pseudonimin Lis Mali.
Këto poezi, siç tregon vetë autori, janë shkruar me lot, gjak e me vnerë dhe kanë lindun gjatë “netve të nji dimni barbar, t’nji dimni shqiptar, kur, jo, s’kishte lule, gjethe e as bar;…”
Vjershat e Pllumit tregojnë botën e madhe të autorit andërrimtar që lufton me tërë qenien, ndonëse “ndër prangat e randa kambë e duer i lidhun” për të rrëzuar kultin e dhunës dhe për t’i ngritë një monument të madh dashunisë.
Këtë poezi, që po e ndaj me ju, autori e ka shkruar kur atij i kishte munguar liria fizike, por jo ajo shpirtërore dhe kjo e fundit e përshkon vjershën si një thirrje e përhershme në ndërgjegjen njerëzore, si një thirrje buçitëse për ndërgjegjësim e angazhim për vepra të mira.
Në këtë poezi, gufon dhe rrezaton bota e madhe e françeskanit të përkorë që i përulet vetëm të vërtetës sublime: dashunisë dhe forcës që ka ajo për të bërë botën më të mirë dhe më humane.
Bota shqiptare sot është e çoroditë dhe ka nevojë që të ushqehet me poezi e vepra të tilla dhe jo me dokrra e marrina që prodhon politika dhe instrumentet e tyre për propagandë, që i hasim përditë në ekrane dhe media.
Veprat e artit, janë ilaç shpirtëror për kohë të liga, siç është kjo e jona.
Sidomos ato vepra që kanë dalë nga përvoja të forta dhe kohë të liga, dhe që tregojnë forcën e madhe të njeriut për të rezistuar ndaj të keqes.
Në këtë drejtim, At Zef, pa dyshim është dishepull i mirë i vlerave humane dhe një nga shembujt më të mirë që kemi si komb.
ANDRRA IME
At Zef Pllumi
S’asht fjala për andrrat që shofim na n’gjumë:
sa pamje shpartalle, skelete pa brumë.
Flluska sapuni me shkumbë.
Kam fjalen për andrrat-dishire gjatë dite,
që t’hedhin n’mendime vite me vite.
Nji send un e dij:
se njerzit ket andërr m’a quejn: utopi!
Mbarë token e due, si fushen, si malet
livadh të qëndisun me lulet e lajlet,
ku delet t’kullosin të qeta, pa frigë
nga bishat e egra s’i gjenë ndoj e ligë;
ku bleta zukatse t’bajnë mjaltin nder hoje
që njerzt t’ambelsohen goje për goje.
Due ajrin e pastër, pa tym e pa mjegull,
ku syni t’shikoje gjithshkafen me rregull:
ku n’qiellin e kaltër t’ket pëllumba perherë
pa ju versulë flakurim ndoj skifter.
Due njerzit, due popujt bashkuemun unji
Me ‘i sundimtare mbretneshë: dashni!
Ket andërr ka pa shumëkush para meje
n’epokat e tjera, çdo komb e çdo feje.
Dhe prap un e dij:
Se u vunë vulën e zezë: utopi!…
Arsyeja dhe zemra njerzore,
që n’kohnat e lashta antike,
andrruene për nji:
“Republikë platonike”.
-Tiranët gopçarët, t’nji kaste, t’nji dore
mbiemnin ja vunë edhe ksaj:
utopike!
E s’voni n’epokat e reja, pa pra
n’shkreti shungulloi persritun nji za:
“O njerz, ju vllazen jeni të tanë!
Ju t’gjith kët token e keni për Nanë!”
Por mbretent, fisnikët, kalorsat barbar,
Kurr nuk pranuen t’jenë njerzt barabar.
E dij se n’tokë ka dimna e prandverë,
e dij se mbi tokë ka pëllumba e skifterë;
e dij se mbi tokë ka ujq dhe dele,
ka pasanikë e kamb-zdathun me zhele,
por kët s’e kuptoj:
pse n’tokë sundon dhuna,
forca shtasore
jo mendja, jo puna;
se ma dashunisë s’i lanë kurrkund vend
a thue se njerzit janë t’gjithë të pamend!
S’pat bota njerz t’mendshëm?
pat, po si s’pat!…
Por o kjenë të plakun
o t’vorfen pa fat.
Prandaj un e due at andrrën e mirë:
që njerzit dikur, me hir o pa hir,
do rrxojnë e përmbysin kultin e dhunës,
instinktet shtasore t’mënisë e furtunës,
dhe n’vendin e tyne do t’vehet
Mirsia,
Mendja njerzore,
Zemra e Dashunija!
(Vitin e kaluar Botimet Françeskane kanë botuar librin me poezi të Át Zef Pllumit, me titull, Poezi)