Policia e Lezhës ka vendosur në pranga 2 shtetas, të lidhur me kundërvajtje dhe aksidente rrugore. Një prej të arrestuarve është shtetasi Bajram Reka, pasi është konstatuar në gjendje të dehur, mbi normën e lejuar.
Gjithashtu, është bërë i mundur dhe arrestimi i shtetasit Nikoll Gjoni. Arrestimi i tij është kryer, pasi ka qenë shofer gjatë aksidentit të djeshëm në Lezhë, ku mbeti i vdekur Paulin Gjomarkaj. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë
Vihen në pranga 2 drejtues mjetesh.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Bajram Reka, 45 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, pasi në vendin e quajtur “Lapidari”, Shëngjin, është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në masën 1.13 mg/l.
Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Manati, Lezhë, ku humbi jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj, i cili u dha paraprakisht si drejtues mjeti, nga veprimet hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar së drejtuesi i automjetit ka qënë shtetasi Nikoll Gjoni, i cili pas një parakalimi të gabuar, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përplasur me sinjalistikën rrugore e më pas me një grumbull gurësh dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Nikoll Gjoni, 27 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.