Në vend kanë mbërritur të tjerë shtetas afganë. Janë rreth 182 shtetas afganë, të cilët do të strehohen në vendin tonë, pasi talebanët morën nën kontroll Afganistanin.
Qytetarët afganë mbërritën në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, ditën e djeshme, ndërsa u pritën nga përfaqësues të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera. Pas procedurave të kontrollit, shtetasit afganë mes tyre edhe fëmijë, janë akomoduar në godinat konviktore të Qytetit Studenti në Tiranë dhe në hotele në qytetin e Durrësit. Ministria e Jashtme njofton se në orët e para të mëngjesit të së dielës mbërritën dy avionë.
I pari me 154 refugjatë, 108 prej të cilëve u vendosën në konviktet në Qytet Studenti dhe pjesa tjetër në hotele në Durrës. Më vonë mbërriti avioni i dytë me 28 persona, të cilët u vendosën në Tiranë. 182 personat e mbërritur dje, e çojnë në 457 numrin e qytetarëve afganë të ardhur në Shqipëri deri më tani.
Ndërkohë, kujtojmë se pak ditë më parë qeveria mori vendimin për t’u dhënë mbrojtje të përkohshme shtetasve afganë që po ikin nga vendi i tyre. Gjithashtu, u vendos që të krijohet një Task-Forcë për menaxhimin e fluksit të refugjatëve afganë, e kryesuar nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, por edhe ministri të tjera në vend. Periudha e veprimit të Task-Forcës është deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë.
Afganët do të jenë në mbrojtje nga vendi ynë për 1 vit, sipas vendimit të qeverisë. Shqipëria është angazhuar për të pritur dhe mbështetur 4 mijë qytetarë afganë që kanë punuar me strukturat e ushtrisë amerikane dhe u kërcënohet jeta nga regjimi i talebanëve. Strehimi i tyre vjen pas kërkesës nga qeveria amerikane ndaj Shqipërisë që të shërbejë si një vend tranzit, për një numër të caktuar emigrantësh politikë afganë, që destinacion të fundit kanë SHBA-në.