Ashtu siç ishte paralajmëruar, Partia Socialiste do të thërrasë këtë të enjte mbledhjen e Asamblesë së PS. Gazeta ka siguruar axhendën e plotë të kësaj mbledhje, teksa kryeministri Edi Rama nuk do të zbulojë vetëm emrat e ministrave të rinj, por edhe të gjithë drejtuesit e organizmave brenda Partisë Socialiste.
Axhenda e Asamblesë Kombëtare përmban 3 pika kryesore, ku pasi të hapet mbledhja dhe miratohet rendi ditës, i pari që do të ngjitet në podium do jetë kryeministri Rama. Ky i fundit do të mbajë fjalën e tij, duke u bërë një përmbledhje realizimeve përgjatë mandatit të dytë dhe pritshmërive për katër vitet e ardhshme. Më pas siç bëhet e ditur edhe në axhendën, shefi i qeverisë do të prezantojë ekipin e ri qeveritar “Rama 3”, kryesinë e re të PS dhe drejtuesit politikë në qarqe.
“Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës; Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama; Zgjedhja e Kryesisë së re, drejtuesve politikë të qarqeve dhe sekretariatit ekzekutiv të partisë”, thuhet në njoftim.
Rama prezanton Kryesinë dhe drejtuesit politikë
Por Kryesia e re e Partisë Socialiste pasi të propozohet nga kryesocialisti Edi Rama, do të votohet nga Asambleja Kombëtare. Ndërkohë emrat e drejtuesve politikë të qarqeve dhe ato të sekretariateve, propozohen nga Taulant Balla, që Edi Rama e rikonfirmoi në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PS.
Mirëpo, duke qenë se nuk është domosdoshmëri që anëtarët e Kryesisë së Partisë Socialiste të jenë me mandat deputeti apo të mbajnë post tjetër drejtues, nuk përjashtohet mundësia që të mbetet pjesë e kryesisë Gramoz Ruçi apo të rikthehen socialistë, të ashtuquajturit të vjetrit, ndërkohë që rrezikojnë të largohen emra si ish-ministrat Ditmir Bushati, Eglantina Gjermeni dhe Mimi Kodheli, apo nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, etj.
Ja emrat e drejtuesve politikë që rrezikojnë largimin
Por përveç furtunës në kryesinë e PS, priten edhe largime në radhët e drejtuesve politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqe. Objektivi minimal i socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishte ruajtja e votave të vitit 2017, gjë që nuk u arrit në 8 prej 12 qarqeve, ç’ka pritet të sjellë “prerje kokash” gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare.
Kështu sipas një analize që gazeta i ka bërë numrit të votave që shkuan në hambarin e PS në zgjedhjet e 25 prillit, festivalin e koordinatorëve socialistë që dolën më dobët e hap ministri i Turizmit, Blendi Klosi. Ky i fundit është drejtues politik i PS në Qarkun e Beratit, teksa Partia Socialiste mori 3300 vota më pak se në 2017-n. Ndërkohë nëse analizojmë me kujdes Qarkun e Vlorës që drejtohej nga Damian Gjiknuri, këtij të fundit i munguan 6000 vota, por fajin ai ia ngarkoi mos angazhimit të bashkisë.
Nga ana tjetër në Qarkun Gjirokastër, me drejtues Bledi Çuçin, socialistët morën gati 3000 vota më pak, ndërsa në Korçë munguan 2000 vota. Ndërkohë, Lindita Nikolla në Lezhë mblodhi 3000 vota më pak, kurse kolegu i saj i Shkodrës, Ilir Beqaj rezultoi me minus 9000, duke humbur edhe një mandat. Po ashtu, në Tiranë, diferenca e votave në zgjedhjet e 25 prillit është 20 mijë më pak, krahasuar me ato të vitit 2017.