Me automjete të blinduara e armatime që iu dhanë Afganistanit nga Amerika, talebanët kanë bërë paradë nëpër rrugët e Kandaharit në festimet e fitores pas largimit të trupave të SHBA nga vendi.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale, talebanët treguan ‘forcën’ me armatimet e lëna pas nga forcat amerikane dhe ato afgane. Talebanët valvitën flamujt e tyre të bardhë, ndërsa organizuan edhe një shfaqje ajrore me helikopterin Black Haëk.
Në një video, ata duken të veshur me stil amerikan, ndërsa pas imazheve, Sekretari për shtyp i Pentagonit, John Kirby u shpreh i shqetësuar për faktin se talebanët po ekzaminonin avionin e braktisur.
“Ata mund të inspektojnë gjithçka që duan, mund t’i shikojnë, mund të ecin përreth, por nuk mund të operojnë me ato armatime”, tha ai.
Ai shtoi se ushtria amerikane i kishte bërë “të papërdorshme të gjitha pajisjet që janë në aeroport, të gjithë avionët, të gjitha automjetet tokësore, duke lënë në funksion vetëm disa kamionë zjarrfikës.
Përpjekjet për të rihapur aeroportin e Kabulit rifilluan të mërkurën pasi një ekip ekspertësh teknikë të Katarit mbërritën në kryeqytetin afgan.
Ekipi teknik udhëtoi për në Kabul me një avion të Katarit me kërkesë të talebanëve dhe ende nuk është arritur një marrëveshje me ta.
Objektivi është rifillimi i fluturimeve brenda dhe jashtë Kabulit për ndihmë humanitare.
Rinisja e fluturimeve komerciale do të jetë gjithashtu vendimtare për njerëzit që ende duan të largohen nga vendi, por që nuk arritën në aeroplanët e evakuimit ushtarak.
Më shumë se 123,000 njerëz u evakuuan nga avionët amerikanë dhe të koalicionit që nga 14 gushti, tha të hënën gjenerali i Komandës Qendrore të SHBA Frank McKenzie.