Nga Bledi Lumani
Qeveria “Rama 3”, ndryshe nga sa pritej, nuk ofroi asnjë lajm me emrat e përzgjedhur për ministra.
Ata që ishin, me përjashtime të vogla, nuk të thonë asgjë, ndërsa këta që u vunë të rinj, janë edhe më mediokër se këta që ishin.
Edi Rama është treguar i pamëshirshëm me zgjedhjet e bëra, duke përjashtuar nga Qeveria ata që në fakt mbajtën barrën e betejës elektorale të 25 prillit.
Taulant Balla, edhe pse mund të jetë një njeri i atakueshëm nga opozita, pse jo edhe antipatik, është njeriu më i votuar në Shqipëri, madje më i votuar edhe se vetë Edi Rama.
Ka dy palë zgjedhje që arrin rezultate spektakolare në Elbasan, një zonë ku para se të shkonte ai, PS merrte veç dy deputetë më shumë se PD.
Damian Gjiknuri po ashtu, në dy palë zgjedhjet e fundit ka arritur të shkaktojë “tërmet” të vërtetë në Vlorë, ndërsa Blendi Klosi arriti një rezultat historik në Qarkun e Beratit në këto zgjedhje. Për të mos folur pastaj për Erion Veliajn në Tiranë.
Çuditërisht të gjithë këta, mbetën jashtë Qeverisë dhe u emëruan ministra fjala vjen drejtuesit e Qarkut të Korçës, Niko Peleshi e Olta Xhaçka, që morën një rezultat qesharak në zgjedhjet e 25 prillit, apo Arben Ahmetaj, që nuk shquhet se ka arritur ndonjëherë ndonjë rezultat të lartë kur ka qenë drejtues Qarku. Madje Taulant Ballën e ulën edhe në detyrë, duke e lënë thjesht kryetar grupi parlamentar.
Rama nuk dha asnjë shpjegim për emërimin e ministrave, por i vetmi justifikim për mbetjen e tyre jashtë Qeverisë, mund të ishte fakti se Rama do të krijonte një Qeveri me teknokratë. Por as kjo nuk ndodhi.
Sot kemi një qeveri as politike, pasi figurat kryesore të Partisë Socialiste kanë mbetur jashtë saj, por as teknokrate.
Kemi thjesht një Qeveri me ca emra njerëzish që i ka vendosur Edi Rama, që nuk të thonë asgjë.
Me sa duket, Edi Rama ka vendosur që kjo Qeveri të identifikohet veç me të, por vështirë se mund ta mbajë i vetëm barrën publike pa pasur figura të rëndësishme pranë vetes.
Me figurina, veçse do të konsumohet edhe më dhe në zgjedhjet e ardhshme do të ketë mbi supet e veta gjithë peshën e asaj që do të arrijë kjo Qeveri, e cila nuk premton asgjë për mirë!