Gjashtë persona të armatosur me kallshnikovë dhe të futur në dy mjete të ndryshme kanë arritur të grabisin një mjet tip “Audi Q7”. Ngjarja është regjistruar në Lezhë mesditën e sotme.
Meriton Ahmetaj, 27 vjeç, nga fshati Korishë i komunës së Prizrenit ka rënë viktimë e grabitësve. Ai ka qenë duke u kthyer nga Mali i Zi, kur rreth orës 22:00 në Milot, dy automjete, njëra prej të cilave e pajisur me fenolinë policie i janë venë në ndjekje.
Drejtuesi i automjetit ka kujtuar se janë punonjës policie dhe ka ulur shpejtësinë në 60 km/h. Ndërkohë që kur ka vënë re se automjeti me fenolinë policie po i qëndronte prapa, ai ka rrit shpejtësinë deri në 80 km/h për të vazhduar rrugën normalisht.
Në këtë moment njëra prej automjeteve e ka parakaluar ‘Audi-n Q7’ me të cilën udhëtonte shtetasi nga Kosova duke i bllokuar rrugën, ndërkohë që automjeti tjetër ka qëndruar prapa.
Personat e armatosur me kallashnikov i kanë bërë thirrje drejtuesit të mjetit të dorëzojë automjetin, përndryshe do ta vrisnin.
Drejtuesi i automjetit nuk ka rezistuar dhe u ka dorëzuar automjetin grabitësve. Ai ka denoncuar grabitjen në komisariatin e policisë Laç.
Forca të policisë së këtij komisariati janë vënë në ndjekje të grabitësve, por pa mundur që të kapin apo identifikojnë autorët.