Shtetet e Bashkuara të Amerikës duken të palëkundura në qëndrimin e tyre për të mbajtur larg Parlamentit, ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit të hënën doli në një studio televizive dhe paralajmëroi se do të jetë në Parlament ditën e premte.
Gazeta “Sot” iu drejtua me një e-mail ambasadës amerikane për t’i marrë asaj një reagim mbi qëndrimet e ish-kryeministrit se do futet në Parlament dhe a u qëndron ambasada deklaratave se emrat “non grata” nuk duhet të jenë aty?
Ambasada u shpreh se lidhur me këtë çështje qëndrimet e saj mbeten të pandryshuara. “Faleminderit për pyetjen tuaj. Qëndrimi i ambasadës amerikane mbetet i pandryshuar”, u shpreh ambasada në reagimin e saj.
Qëndrimet e Kim
Por cilat janë qëndrimet e ambasadores amerikane, të cilat vijojnë të jenë të pandryshuara? Për emrat “non grata” ambasadorja ka reaguar shumë herë, që te rasti i Tom Doshit ku u shpreh qartë se ata nuk duhet të jenë në Parlament. Por sa i takon rastit të Berishës, ajo ka mbajtur dy qëndrime tepër të forta. I pari erdhi pas takimit që mbajti me kryedemokratin Lulzim Basha, ku u shpreh se nëse PD nuk distancohet nga Berisha, atëherë kjo parti do të detyrohet të hajë bar.
“Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryetrarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë Parlament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu”, tha ambasadorja.
Qëndrimi i saj i dytë erdhi përmes një editoriali të publikuar në faqen e ambasadës, ku këtë herë shënjestroi dhe PS. Po ashtu ajo i dërgoi mesazh Bashës se Berisha nuk duhet të jetë prezent në Parlament. “Presim me kënaqësi ta shohim Parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë në mënyrë që shqiptarët nga i gjithë spektri politik të jenë të përfaqësuar. Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar.
Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkoj që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, tha ambasadorja amerikane. Pra duket se SHBA nuk lëkundet nga këto dy qëndrime dhe tashmë sytë janë te kreu demokrat Lulzim Basha, i cili ka dhe dy ditë afat të vendosë nëse do distancohet nga Berisha apo jo.