Presidenti Ilir Meta vijon të mbajë në ankth Partinë Socialiste sa i takon dekretimit të Edi Ramës për Kryeministër të Shqipërisë.
Paraditen e së shtunës që shkoi, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, në zbatim të nenit 96 të Kushtetutës, i dërgoi presidentit Meta propozimin e partisë, që ka shumicën e vendeve në Kuvend, për zotin Rama kryeministër. Shkresa e Partisë Socialiste erdhi dy ditë pasi Edi Rama prezantoi qeverinë e re “Rama 3”, duke treguar hapin e parë procedural drejt fillimit të detyrës.
Por kur kanë kaluar tre ditë nga kërkesa e socialistëve që tashmë ndodhet në tryezën e kreut të shtetit, ky i fundit nuk e ka vënë ujin në zjarr. Burime nga PS i pohuan gazetës se mazhoranca socialiste priste që të martë zoti Meta t’i hapte rrugë dekretimit të Ramës për kryeministër. Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, duke shtuar kështu ankthin në radhët e socialistëve.
Sidoqoftë, në kushtet kur Edi Rama ka 8 vite në krye të ekzekutivit, nga PS presin përgjigje pozitive nga ana e Metës, në mënyrë që ky i fundit të mos bëjë ndonjë surprizë dhe të bllokojë dekretin. Dhe nisur nga kjo dhe referuar të shkuarës, socialistët i kanë sytë tek Meta deri të premten kur do të mblidhet edhe Parlamenti i ri, pasi edhe më parë ai e ka mandatuar Edi Ramën në ditën kur është konstituuar Kuvendi i ri.
Megjithatë, pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë Ilir Meta në këtë rast, pasi para, gjatë dhe pas zgjedhjeve ka pasur përplasje të forta në distancë mes tij dhe mazhorancës. Madje, socialistët votuan për herë të parë në histori, shkarkimin e tij si President i Republikës.
“Këshilltari” i Ramës paralajmëron padi në Kushtetuese
Por për t’i paraprirë ndonjë surprize nga ana e presidentit Ilir Meta siç është bllokimi i dekretimit të Edi Ramës kryeministër apo qeverisë së re, socialistët pritet t’i drejtohen me padi Gjykatës Kushtetuese nëse gjendet përpara një situate të tillë. Ka qenë Baton Haxhiu, i cili njihet si “këshilltari” i kryeministrit Rama, i cili teksa ishte ftuar në një studio televizive paralajmëroi padi në Kushtetuese nëse bllokohen ministrat nga ana e zotit Meta.
“Unë s’e marr seriozisht nëse s’e ka respektuar ndonjëherë Kushtetutën, një vendim i Gjykatës Kushtetuese e obligon atë që të konsultohet me Kryeministrin, ose Kryeministri obligohet që t’i dërgojë emrat, por besoj se nuk ka më betejë politike për të refuzuar gjërat, pasi Presidenti është formal, është pa peshë dhe brenda peshës së tij në ikje, nuk besoj se mund të bëjë ndonjë shkarje, përveç nëse nuk dëshiron që edhe njëherë t’i nënshtrohet Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai.
Ndërkohë për të mbështetur analizën e tij, analisti Baton Haxhiu iu referua një vendimi të Gjykatës Kushtetuese rreth çështjes së emërimit të ministrave dy vite më parë, ku presidenti Meta refuzoi të dekretonte emërimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Sipas Haxhiut, Gjykata Kushtetuese nuk ka sjellë asnjë vendim dhe se interpretimet e saj janë interpretime të njerëzve që nuk mendojnë juridikisht për të ardhmen e vendit. Madje, analisti Haxhiu theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese lënë shteg për interpretime të shumta dhe për këtë ai theksoi se është e dështuar ende pa filluar.