Xhani de Biazi, trajneri i Azerbajxhanit, e rezervoi protagonizmin jashtë fushe me Portugalinë, në konferencën për shtyp në vigjilje të kualifikueses së Botërorit.
Ai shpresonte që mungesa e Kristiano Ronaldos t’i jepte një dorë skuadrës së tij, por në fund luzitanët arritën të fitojnë edhe pa kapitenin e tyre:
“Flasim për një futbollist fantastik, por Portugalia ka lojtarë të Mançester Sitit, Mançester Junajtidit, Liverpulit, PSG-së, Dortmundit, Uolverhemptonit, Benfikës, Portos, Sportingut… Në jetë kurrë mos thuaj kurrë.
Dhe unë do të doja të kujtoja se Fernando Santos më detyrohet një shishe vere ‘Porto’, sepse u bë trajner falë meje dhe vitin pasardhës u shpall kampion Europe”. Italiani i referohej humbjes së Portugalisë së Paulo Bentos kundër Shqipërisë së tij më 7 shtator 2014, ndeshje që i kushtoi stolin trajnerit luzitan.