Joli Agolli Paparisto është një emër që shumë personave të një brezi më parë, i thotë shumë.
Ajo ka qenë një nga vajzat më të bukura të Tiranës, e cila ka mbaruar për koreografi në Akademinë e Arteve dhe dikur ishte shumë aktive në skenë.
Madje, ka qenë pjesë edhe në filmin “Edhe kështu edhe ashtu”.
Sot, Joli jeton në SHBA dhe është nënë e dy fëmijëve, por nuk ka lënë pas dore dashurinë për artet.
Ajo tashmë mbulon një karrierë të suksshme me aktivitete në Amerikë.
E ftuar në “ABC”, Joli tregoi se fillimisht nuk ka dashur të largohet nga Shqipëria, madje në SHBA ka hasur shumë vështirësi.
“Nuk u përshtata fare. Një herë nuk doja të shkoja. Unë isha 27 vjeçe kur e lashë Shqipërinë dhe sa kishin filluar ndryshimet. Isha pothuajse në fillimet e kulmeve të mia.
Nuk është se do shkoja në Amerikë dhe e dija se çfarë më priste, se normal nuk të pret fushë me lule.
Shkova pa dëshirë dhe vajta, kam bërë ca punë fantastike, për nja një vit e gjysmë kam qarë.
Sigurisht që puna është nder, por nuk më vinte mirë se nuk isha përgatitur për të punuar. Kam punuar në restorant për shembull, e kam nisur aty, qaja, shkoja.
Por ajo më ka forcuar shumë sepse ajo më bëri të eci përpara. Edhe i dhashë forca vetes, ose do rrish këtu ku je, ose do ecësh.
Pastaj, futa dhe karakterin se unë jam natyrë luftarake”, u shpreh ndër të tjera ajo.