Ashtu siç gazeta “SOT” e ka paralajmëruar, muaji shtator pritet të përfshihet nga zhvillime të forta në sistemin e drejtësisë.
Aktualisht në tryezën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK janë disa dosje të bujshme të zyrtarëve të lartë, ku për një pjesë janë dhënë vendime nga shkalla e parë, ndërsa për një pjesë pritet të nisë procesi në apel. Kështu, ditën e djeshme Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka hedhur shortin për çështjen në ngarkim për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Çështja ndaj Dedjes do të gjykohet nga Erjon Bami. Kujtojmë se Dedja me detyrë ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë dhe të fshehjes.
Caktohet gjyqtari që do vendosë fatin e Mediut
Por përveç dosjes së ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja që do të gjykohet nga GJKKO, dje edhe Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për dosjen e Gërdecit. Mësohet se gjyqtarja që pritet ta shqyrtojë është caktuar Saida Dollani, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Çështja do të shqyrtohet në dhomë këshillimi më datë 17 shtator ora 10:00. Kjo është hera e dytë që SPAK kërkon rinisjen e gjykimit për Mediun. Edhe më herët, SPAK ka kërkuar të njëjtën gjë, por kërkesa është rrëzuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjyqtari Erjon Çela vendosi që të rrëzonte kërkesën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas vendimit të GJKKO, Prokuroria ka pasur 10 vite kohë që ta hetonte dosjen e Gërdecit, pasi ai nuk ka pasur imunitet. Po ashtu, Gjykata e Posaçme ka shtuar edhe faktin se për rinisjen e hetimeve, Prokuroria nuk ka depozituar prova të reja, por është mjaftuar vetëm me një kërkesë. Kujtojmë që Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e akuzon Mediun si një nga ish-zyrtarët përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, me 26 të vrarë dhe qindra të plagosur.
Llalla del sot para Apelit të Posaçëm
Megjithatë gjatë muajit shtator, e më konkretisht ditën e sotme, në sistemin gjyqësor pritet që të trajtohet edhe një tjetër dosje e bujshme, siç është ajo në ngarkim të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka shtyrë disa herë seancën për ish-prokurorin Llalla, teksa shkak për shtyrjen u bë mungesa e vet Llallës dhe avokatit të tij, ky i fundit me arsyetimin se ishte i sëmurë, ndërsa vetë ish-Kryeprokurori nuk ka dhënë asnjë arsye. Por në fund të qershorit të këtij viti, Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi që seancën për zotin Llalla ta thërrasë në 9 shtator, pra sot. Kujtojmë që ish-kryeprokurori Llalla u dënua nga Shkalla e Parë me 2 vite burg dhe disa pasuri iu sekuestruan dhe i kaluan shtetit me akuzën e deklarimit dhe fshehjes së pasurisë.