Janë çarë raportet mes hajdutëve dhe viktimave. Viktimat kërkojnë jo vetëm gjënë e vjedhur, por edhe shpagim. Përbri çdo emri politikani e pushtetari, ka akuza, shifra miliona dollarëshe, krime, urrejtje deri në nerv të çmëndurisë.
Nuk ecet më tej me deklarata tip Adriatik Llallë, se këtë shtator do të arrestohen Peshqit e Mëdhenj.
Peshku Adriatik Llalla, podin e prokurorit e përdorte trampolin ekzistence, tallej me viktimat e tij, me ata që i kishte rrjepur, dhe u jepte “forcë” antiamerikane miqve të tij hajdutë.
Prandaj ka skepticizëm edhe për shtatorin e Arben Krajës.
Llalla është në derë të burgut sot. Edhe shefi i SPAK-ut, Arben Kraja, s’ka papritshmëri që pas një viti të mos jetë pas hekurave. Kjo, sepse në deklaratën e pasurisë, ka shënuar me dorën e vet disa qindra mijëra dollarë. E shoqja ngjan edhe më e pasur se gruaja e Llallës. Janë fakte. Pse ta fshehim të vërtetën.
Ka çudira dhe skepticizëm.
Hajdutët në 30 vjet kanë bërë sikur do kapin hajdutët. Pse ka gjendje të tillë, “shigjetat” kundër Sali Berishës janë kaq të “helmuara”.
Shqiptarët, historikisht kanë ndërruar edhe Zotin, jo më Saliun.
Nuk janë legjenda, por të vërteta. Një vëlla Mahmut e tjetri Mikel, kanë ecur nëpër shekuj si vëllezër, por njëri ka sot një Perendi e tjetri, një tjetër Perendi.
Pra, edhe Kultet i gjuajnë me “gurë”.
Sot kërkojnë kontroll pasurie për gjithë Perenditë e 30 viteve të fundit.
Fatos Nanon, Ilir Metën, Edi Ramën, Adriatik Llallën, Lulzim Bashën, Damian Gjiknurin, Fatmir Mediun, Ilir Beqajn, Erjon Veliaj, Gjin Gjonin, Arben Ahmetajn, Vangjush Dakon, e mijëra të tjerë, në burg i duan, një minut e më parë.
Po a gabon turma, a po shkelen të drejtat e hajdutëve?
Një pyetje-argument:
Mos gabuam në terminologjinë artikuluese? Jo, aspak. Pse shqiptarët s’kërkojnë burg për deputetë si Selami Jenishehri, Erjon Braçe, Valentin Palaj, Rrok Smaljaj, Musa Ulqini, apo për ish kryebashkiakun e Shkodrës Bahri Boriçi?
Ka shpjegim të blinduar; Këta nuk kanë vjedhur!
Pra, le ta pranojmë, beteja mes hajdutëve e viktimave është e fortë.
Viktimat janë në “sulm”. Hajdutët janë mbyllur në “portë” të vet, në Parlament. Atje nuk “lejojnë” të çara. E duan të gjithë edhe Sali Berishën, edhe Fatmir Mediun, edhe Damian Gjiknurin që i ka vdek nuri prej kohësh, në “formacion”
Viktimat kanë në drejtim ambasadoren Yuri Kim, kurse Hajdutët kanë Sali Berishën, që e kanë nxjerrë në “mejdan” pa “armatim”. Berisha nuk ka as kosore, as tfurk, as drapër dhe as brisk rroje bile. Ngjan si “dordolec” majë shkopit, për të trembur Amerikën.
Nga studio në studio, lëshon kushtrimin se Amerika nuk ka punë me hajdutët e kriminelët në Shqipëri.
Luli, Edi dhe të gjithë ja marrin ison se po, ambasadorja Yuri Kim po i shkel të drejtat e hajdutëve.
Ilir Meta e ka trashur zërin me ambasadoren.
Presidenti, i kishte thënë se ajo mund ta takonte vetëm tek Mali me Gropa. Ka ngritur zërin Presidenti, se kokëpalarët kanë ngritur prita. “Dallgët” e pushtetit nuk i durojnë asnjë ditë më përtej.
Nuk ka kokëpalarë që nuk e kërkon floririn e Thesarit të Shtetit, vilat luksoze dhe mbi 70 milion paund në Angli e ku e ku tjetër, të Ilirit dhe cilitdo Petrit Vasil, Tritan me Sheh apo Genc me Rrul.
Presidenti i Republikës është unik në Botë.
Është betuar se vret veten dhe s’ka Perendi që e çon përpara drejtësisë. Pra, garanti i Kushtetutës, deklaron se vjedh e vret sa do e si do, e drejtësi nuk pranon.
I ka thënë ‘fet e fet’, aty në shesh, në televizion, ambasadores Yuri Kim, se nuk “guxon” t’i cënoi të drejtat e hajdutëve.
Edhe Saliu është as më pak as më shumë, veçse Ilir Metë.
Presidentit i mungon de jure ‘non-grata’, Saliut i mungon shkarkmi nga Parlamenti i Milionerve.
Por ato që në aparencë u mungojnë, nuk u mungojnë.
Çdo të zezë e kanë faqezinjtë.
Nuk e ka, por kush më shumë se Ilir Meta është ‘non-grata’!?
Po më të urryer e të përjashtuar se Sali Berisha a ka?
Shtatori, si muaji i triumfit të viktimave mbi hajdutët, i ka lënë të gjithë nokaut. Ata vetëm pëshpërisin me zë të mekur se; Yuri Kim po shkel të drejta e hajdutëve./Pamfleti