Nga Anri Bala
Të qarat e të qurraviturat për largimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së, erdhën nga SHQUP-i… deri tek shtëpia ime, me një shpejtësi tamam sikurse nisin pikat e para të shiut, që në pak sekonda, do të kthehen më pas në rrebesh. Menjëherë, më erdhi në mend të ndez televizorin dhe lëshova prej tij një muzikë melankolike në sfond. Aq bukur shkonin të dyja bashkë, a thua se ishin pjesë të të njëjtit kompozim!
Pastaj më rrëmbeu një pikëllim! Tek dëgjoja të vajtonte SHQUP-i, nisa të vajtoja dhe unë… klithje e britma tek SHQUP-i, hakërrehesha me veten unë… bërtisja me sa kisha në kokë se:
Si ka mundësi, që këta njerëz vajtojnë ende për autorët e mjerimit të tyre?!
Si është e mundur, në 2021 të vajtosh ende për Sali Berishën, Lulzim Bashën, Edi Ramën, Ilir Metën apo Monika Kryemadhin, apo kush do nga shërbëtorët e tyre të bindur e të përulur, që u rrijnë “peqe lepe” llokmave të pushtetit, a thua se nuk janë pronë e popullit “bujar”, por e pronarëve të tyre… kryetarëve të partisë?!
Si ka mundësi, që këta njerëz nuk vajtojnë kurrë për xhepat e tyre, të shqyer e shkëlyer në 100 copa, ku dhe qindarkat refuzojnë të qëndrojnë?!
Si ka mundësi, të vajtojsh për dikë që nuk vajton për ty… për fëmijën tënd, që përlyet e zhgërryhet çdo ditë në punë të rëndomta, mijëra kilometra larg teje, për të siguruar minimumin tënd jetik?!
Si ka mundësi, që qurravitesh për vrasës, hajdutë e kriminelë, në qofshin këta dorasi apo porositësi?!
Kush mendon, se Basha e përjashtoi Berishën për të shpëtuar veten, është një gomar me bisht! Basha nuk e shpëton dot veten duke “dorëzuar” mandatin e Berishës, e as Rama nuk do mund ta shpëtoj nesër veten, duke u fshehur pas gjëmave të Bashës… me pretekstin se ky, është e keqja më e vogël, e më mirë se këta s’kemi ku gjejmë tjetër.
Ai që vret se është në gen vrasës, nuk është më shumë fajtorë se ai që vret për të shpëtuar prapanicën e vet!
Tranzicioni i kriminelëve të padënuar, sapo mori fund! Qoftë edhe vetëm duke ua hequr një kaste të drejtat dhe atributet të fituara nga tituj “senatorë të përjetshëm”.
Të gjithë këta, do e shpëtojnë veten e tyre vetëm nëse janë të pafajshëm për çdo akuzë, apo dëm që i kanë shkaktuar këtij vendi.
Ndërsa kriminelët, duke nisur nga nesër, do të përplasen prapa hekurave dhe nuk do munden të pretendojnë se po i sulmojnë se janë: LLEXHENDA!
Për këtë është nxirë Basha, që lëviz si i vdekur i pakallur, sepse as që i bëhet vonë për mandatin e Berishës… por është i shqetësuar për të ardhmen e tij, sepse i madh dhe i vogël, e di që Basha, për sa kohë Berisha ka qenë kryeministër, ka qenë zorra qorre e asaj partie… porositësi dhe dorasi!
Kurse këta që mendojnë se Edi Rama është më i humburi për largimin e Berishës dhe pozicionimin në parti të Bashës, më në fund si kryetarë de fakto, nuk e dinë se Rama mund të vazhdojë me dekada, vetëm duke treguar bëmat e Lulit dhe Saliut, tamam si ato përrallat e “Na ishte një herë”, që i tregonte me aq mjeshtri Aishe Starja.
Në fakt, që të iki Rama, duhet të iki Basha, pas Berishës… e të na vijë ndoshta një më i keq se këta… por të mos ketë atribute, si kriminel… hajdut… vrasës… porositës… doras!
Fotografia e Berishës me Bushin, mëngjesin e lajmit të kobshëm, nuk e shpëtoi dot Berishën nga largimi me turp prej politikës… Kurse “mandati” i Berishës, nuk do e shpëtoj Lulzim Bashën, as nga turpi… as nga burgu!/Ekskluzive.al