Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar ditën e djeshme katër deputetët e dorëhequr para fillimit të legjislaturës së re.
Dje Kuvendi mbajti dy seanca në të cilat u betuan deputetët dhe kryetarja e Kuvendit ndërkohë që u bë zëvendësimi i të dorëhequrve si dhe vendosja e drejtuesve të Komisioneve Parlamentare. Në mbledhjen e paradites Kuvendi vuri në dijeni KQZ për dorëheqjet dhe menjëherë KQZ zhvilloi një mbledhje.
KQZ miratoi shpërndarjen e mandateve për deputet, për zëvendësimin në Kuvend të Gramoz Rucit, Najada Çomos, Lefter Kokës si dhe Mark Markut. Ashtu siç pritej, mandati i Gramoz Ruçit i ka kaluar Mirela Pitushit në Fier, Najada Çomo është zëvendësuar nga Mimi Kodheli në Tiranë, Lefter Koka nga Denis Deliu në Durrës dhe Mark Marku nga Elda Hoti në Lezhë.
Vendosen drejtuesit e komisioneve parlamentare
Ndërkohë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë vendosur emrat e deputetëve për drejtues të Komisioneve të Përhershëm të Kuvendit të Shqipërisë. Klotilda Bushka u vendos drejtuese e Komisionit të Ligjeve. Nasip Naço u vendos kreu i Komisionit të Sigurisë.
Po ashtu Mimi Kodheli u vendos kryetare e Komisionit të Jashtëm. Kryetar i Komisionit të Ekonomisë u vendos Eduard Shalsi. Tek Veprimtaria Prodhuese u vendos Arben Pëllumbi. Nga radhët e demokratëve, Jorida Tabaku u vendos drejtuese për Komisionin për Integrimin Europian. Albana Vokshi është vendosur tek Komisioni për Shëndetësinë ndërsa Agron Gjekmarkaj për Edukimin dhe Median. Petro Koçi do të jetë zv.kryetar në Komisionin e Arsimit.
Ndërkohë u ngrit edhe Komisioni i Verifikimit të Mandateve të deputetëve, i përbërë nga 5 përfaqësues të mazhorancës dhe 4 të opozitës. Nga mazhoranca, pjesë e komisionit janë Klotilda Bushka, Ermonela Felaj, Aurora Mara, Nasip Naço dhe Toni Gogu, ndërsa nga PD janë Saimir Korreshi, Dhurata Çupi, Greta Bardeli dhe Belind Këlliçi. Ndërsa nënkryetare e Kuvendit u vendos Ermonela Felaj.
Reagime për nisjen e sesionit të ri parlamentar
Nga ana tjetër për nisjen e legjislaturës së re parlamentare kanë reaguar një sërë figurash politike. Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali me anë të një mesazhi në rrjete sociale u shpreh se në qendër të qeverisjes këtë mandat të tretë do të jetë interesi publik dhe kombëtar. Sipas saj, si qeveria ashtu edhe opozita duhet të punojnë pa u lodhur dhe pa u ndalur për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për besimin dhe barrën e përgjegjësisë së shtuar të këtij mandati të tretë. Interesi kombëtar, interesi publik, ardhmëria, do jenë objektivat madhore që do vendosim në qendër të politikës. Do luftojmë pa u ndalur dhe pa u lodhur për të realizuar premtimin tonë për një Shqipëri të zhvilluar”, tha ajo.
Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri dje me anë të një postimi teksa i uroi suksese Kuvendit të ri deklaroi se qeveria e ka dorën e bashkëpunimit të shtrirë ndaj opozitës për të mirën e vendit. “Duke i uruar sukses Kuvendit të ri, shpreh besimin e plotë se me punën e tij, Grupi Parlamentar i PS do të luajë rolin e çmueshëm për të çuar përpara proceset e rëndësishme legjislative. PS do ta ketë të shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën në funksion të së ardhmes europiane të Shqipërisë”, thuhet në reagim.