Ish-presidenti Bujar Nishani reagoi dje ashpër ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, që vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar demokrat ish-kryeministrin Sali Berisha, ndërsa shpërtheu në kritika të forta në adresë të shefit të selisë blu.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, ish-presidenti Nishani akuzoi zotin Basha se është peng i kryeministrit Edi Rama dhe se vendimin për të përjashtuar Berishën e mori pa u konsultuar me asnjë strukturë, duke shtuar se i ngjan skuthit. Sipas Nishanit, Basha me sjelljen e tij po përçan PD-në.
“Lulzim Basha ka vepruar si një skuth! Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimmarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike! Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitimë të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.
Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë! Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike”, shkruan ai. Ndërkohë, ish-presidenti Nishani u bëri thirrje demokratëve të mos dorëzohen dhe të luftojnë për të ringritur Partinë Demokratike.
“Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjësimin e fondamenteve me bazike të demokracisë. Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjësimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi”, nënvizoi ish-presidenti Bujar Nishani.