“Njerëzit po vdesin akoma për shkak të ndërlikimeve shëndetësore të lidhura me sulmet terroriste të 11 Shtatorit”. Kështu shprehet për CNN John Feal, i cili ka qenë një nga personat që kanë dhënë ndihmën e parë pasi u rrëzuan Kullat Binjake, 20 vite më parë.
“Ne i dhamë shpresë një qyteti të dërrmuar 20 vite më parë dhe po paguajmë për këtë me jetët tona. Këto 20 vite kanë qenë të vështira për ne, ndërsa 20 vitet e ardhshme do të na vrasin të gjithë ne që ishim grupi i ndihmës së parë. Lutem që qeveria të na ndjekë, pasi ne po përkeqësohemi”, tregoi Feal, i cili punoi për 5 ditë në “Ground Zero”.
Ai kujton se nuk mbajti maskë apo respirator, pasi askush nuk i tha punëtorëve që duhet ta bënin patjetër diçka të tillë.
“Punuam aty, hëngrëm aty, fjetëm aty… Thithëm me hundë dhe gojë tym e pluhur. Asnjëri prej nesh që kërkonim për të mbijetuar dhe pastronim zonën, nuk menduam kurrë që qeveria do të na gënjente. 11 Shtatori ende po vret. Askush nuk u trajtua siç duhet dhe askush nuk na ka kërkuar falje”, shton avokati John Feal.