Nga Mero Baze
Sali Berisha po bën përpjekje të jetë sa më i paqartë pas vendimit të Lulzim Bashës, për të mos qenë pjesë e grupit parlamentar të PD. I kapur në befasi dhe “i prerë në besë”, siç mundohet ta paraqesë pozicionin e tij, ai ka premtuar të kundërpërgjigjet “me të gjitha mjetet statutore”, me qëllim që t’i kthejë PD-së sovranitetin e cenuar.
Berisha po bën kujdes të mos ketë asgjë të qartë në veprimet e tij, as në hapat që do të ndjekë, me qëllim që gjithsecili të kuptojë ç’të dojë nga fjalitë evazive të tij.
Atij i leverdis që kush duhet të trembet, le të trembet, kush duhet të frymëzohet, le të frymëzohet, kush duhet të hutohet, le të hutohet.
Por cilat janë mjetet statutore dhe ç’lidhje kanë ato me hakërrimat e tij publike apo ndërsimin e bandave të lavazhit të PD kundër mbështetësve të Bashës, që ai po përdorë “për t’i kthyer PD-së sovranitetin”.
Së pari, përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar nuk është një problem midis tij dhe PD-së, por është një problem midis tij dhe grupit parlamentar.
Berisha gënjen kur akuzon Bashën se ka shkelur statutin e partisë, kur ka vendosur përjashtimin e tij pa konsultë dhe pa vendimmarrje forumesh. Përkatësia në grup parlamentar është çështje e vullnetit të deputetit dhe e vullnetit të grupit parlamentar.
Ajo deklarohet në fillim të legjislaturës dhe mund të modifikohet rrugës, në çeljen e çdo sesioni të Kuvendit. Kjo çështje rregullohet nga Rregullorja e Kuvendit dhe jo nga statuti i partisë.
Për Kuvendin, vullneti i grupit shprehet nga kryetari i grupit parlamentar, ndërkohë që mënyra se si kristalizohet ky vullnet, me konsultë, me mbledhje, me debat, me delegim apo me përfaqësim, është çështje e brendshme e grupit dhe nuk trajtohet nga Rregullorja.
Që Berisha të jetë pjesë e grupit parlamentar të PD-së duhet që ai të nënshkruajë deklaratën e përkatësisë, sikurse duhet që Alfred Rushaj t’ia përcjellë sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit këtë deklaratë, në emër të grupit.
Nëse Berisha kërkon të jetë medoemos pjesë e grupit, atëherë ai betejën duhet ta bëjë në grupin parlamentar dhe të mos ushqejë mbështetësit me ëndrrën e “luftës” në Kryesinë e partisë apo në Këshillin Kombëtar.
Beteja në grup parlamentar jo vetëm që është instrumenti legjitim për Berishën, por është potencialisht edhe më rezultative.
Berisha e ka shumicën dërrmuese të deputetëve të grupit ushtarë besnikë të tij, përfshirë Alfred Rushajn, kryetarin e grupit, sikurse ka për vete të gjithë kamikazët e pagojë e të pamend që shquhen gjithmonë rreth tij.
Berisha mund ta fitojë debatin në grup, ose së paku të përçajë grupin, duke marrë me vete pjesën që i duhet për mbijetesë.
Pse Berisha i shmanget kësaj beteje fitimtare?
Për këtë, shpjegimi më i afërt është se atë e tremb rezultati i mundshëm i saj. Berisha nuk e do fitoren, nuk do që të jetë pjesë e grupit parlamentar, nuk do që të rikthehet në qendër të vëmendjes së DASH-it.
Berisha preferon më mirë ta shohin si “hero” të vrarë nga dyshja Basha-Rama, viktimë e pabesisë së “birit” shpirtëror, me Amerikën të qetë e të kënaqur, se sa të dalë ngadhënjimtar mbi “armikun” Basha, ta përzërë këtë të fundit dhe të rimarrë kontrollin e Partisë, me Amerikën që lëshon rrufe mbi të.
Berisha nuk do të jetë pjesë e grupit, se llogaritë i dalin më mirë kështu.
Në mbështetje të kësaj hipoteze qëndron së paku dëshmia e Bashës, i cili i kumtoi grupit se përjashtimi i Berishës është zgjidhja më e mirë për Berishën dhe familjen e tij.
Por këtë gjë e shpjegon shumë mirë edhe vetë sjellja e Berishës dhe e mbështetësve të tij në grupin parlamentar, të cilët në ditën e debatit nuk kërkuan në asnjë rast rrëzimin e vendimit për përjashtim, por “kritikuan” rëndë vetëm procedurën e tij.
Asnjë nga mbështetësit e tij nuk insistoi në mbrojtje të Berishës, nuk kërkoi mbledhje forumesh, nuk protestoi, nuk bllokoi sallën, nuk kërkoi, as imponoi votimin në grupin parlamentar.
Asnjeri nuk bëri asnjë përpjekje që të rrëzonte vendimin. Vetë Berisha kërkoi vetëm që grupit t’i kumtohej se ai nuk ishte dakord me vendimin. Asgjë më shumë.
Përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar i PD-së ishte tronditja më e madhe politike përgjatë lidershipit të Bashës, “vendimi i jetës së tij”, sikurse deklaroi vetë, e cila çuditërisht as frymëzoi, as reflektoi asnjë gjest tek deputetët zhurmëmëdhenj të PD-së.
Ata deputetë që për Lindita Nikollën grisën kolektivisht dhe me mllef të gjitha fletët e votimit, për përjashtimin e Berishës nuk grisën dot as faqet.
Së dyti, Berisha ka dy ditë që paralajmëron lëvizje statutore kundër Bashës, por nuk ka nxjerrë nga goja asnjëherë fjalën mocion shkarkimi për të.
Mocioni i shkarkimit është statutor, por është edhe logjik, nëse besojmë “gjëmimet” e Berishës kundër Bashës.
Fakti që Berisha refuzon ta artikulojë këtë gjë, shpjegimin më të afërt e ka tek pesha e frikës, se mocioni i shkarkimit mund të kthehet në bumerang vrastar për vetë Berishën.
Edhe në mbështetje të kësaj hipoteze qendron përsëri dëshmia e Bashës kur i kumtoi grupit se i dërguari amerikan atij i kishte thënë shumë më tepër nga ç’ishte ai i gatshëm të rrëfente.
Ajo që Basha e Berisha dinë dhe që refuzojnë ta rrëfejnë, me shumë gjasë është ajo që e detyron Berishën të mos i kundërvihet realisht përjashtimit dhe Bashën të mos ketë frikë realisht nga shkarkimi i tij.
Pjesa tjetër është teatri i zakonshëm, me të cilin në Shqipëri janë mësuar të ushqejnë turmat.
Dhe ajo që e detyron Berishën të mos i kundërvihet realisht shkarkimit nga Basha është nevoja të duket një viktimë dhe ndëshkimi ndaj tij të ndalet këtu.
Ajo që di Basha që të mos ketë frikë realisht nga përjashtimi i Berishës, është pikërisht kjo frikë e Berishës dhe mbështetja amerikane që ka për t’ia bërë fytyrën “dhe më zi si këpuca”. Ndaj kanë ndalur këtu e po bëjnë sikur po luftojnë.