Nikollë Lesi ka botuar një editorial ku tregon se Edi Rama ka thirrur në zyrë ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe i ka kërkuar të mbrohet jeta e Lulzim Bashës.
Ai thotë se Basha është në rrezik për jetën pas dëbimit të Berishës nga partia.
Shkrimi i plotë
“Pas vendimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për përjashtimin e ish-liderit të PD-së, Sali Berisha kanë shpërthyer rrjetet sociale, por jo vetëm, që akuzojnë kreun demokrat e ku ka postime shumë të rrezikshme për jetën e tij.
Veprimi i Lulzim Bashës ishte i guximshëm.
Nuk mund të thuhet nëse ishte i drejtë apo jo, por duke e parë në historinë e këtyre 30 vitëve asnjë nuk ia ka punuar kaq bukur dhe egër, Sali Berishës.
Është shamatuar dhe zënë me plotë intelektualë në PD apo është sulmuar, por prapë ka gjetur shtigje dalje, ish-kryeministri Berisha. Kjo që i ndodhi tani me Bashën që e përjashtoi pasi e bëri ministër dhe i fali PD-në, nuk i ka shkuar në mendje as në endërr, Berishës.
Por ja që doli një dhe ia theu turinjtë. E ku ka më mirë se djali politik të të tregojë derën e të thotë “IK tani se të pret SPAK-u!”.
Edhe natën e mbledhjes, ku Basha kishte deklaruar në media vendimin për përjashtimin e Berishës, ka patur tone të forta mes Bashës dhe disa deputetëve, sikurse thuhet se një prej deputetëve e ka goditur Bashën në zyrë.
Ndërsa ku doli vetë Sali Berisha hapur kundër Bashës duke e akuzuar si njeri të Edi Ramës në PD dhe si një i pabesë, ka patur sinjale të kriptuara për jetën fizike të Lulzim Bashës.
Mësohet se shtëpia e tij dhe vila ruhen me përforcime të forta nga Policia dhe forcat speciale. Po ashtu edhe kur lëviz me makinë ka shoqërim nga makina policie dhe me targa civile të Ministrisë së Brendshme, të cilët janë urdhëruar të qëllojnë këdo që cënon jetën e shefit të selisë blu.
Kryeministri Rama ka thërritur ministrin e brendshëm duke e urdhëruar që duhet ruajtur me çdo kusht jeta e Lulzim Bashës.
Ndërkohë sipas selisë blu Lulzim Basha ka pezulluar të gjitha lëvizjet në rrethe. Ai bën vetëm udhën shtëpi-zyrë në PD duke anashkaluar takimet e tjera, sidomos në rrethe. Në mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD-së, disa kërkuan që Lulzim Basha të dalë në bazën e partisë që ti sqarojë për vendimin ndaj ish-liderit Berisha, por kjo është transkriptuar nga shërbimet sekrete si një kurth ndaj jetës së tij.
Ndaj Lulzim Basha do jetë në shtëpi dhe në zyrë, e natyrisht edhe në parlament ku ka gardë republike dhe polici të shumtë.
Në rrethe nuk del, të paktën për ca kohë, sqarojnë shërbimet sekrete.
Sot ish-kryeministri Berisha bëri thirrje në facebook që të shporrim njeriun e Ramës në krye të PD-së, pra Lulzim Bashën.
Ja se çfarë shkruante Berisha: “Sot demokratët dhe demokratët frymëzohen më shumë se kurrë më parë nga trimëria epike, guximi mbinjerëzor i Azem Hajdarit për tu ngritur dhe flakur sa më parë në koshin e plehrave të historisë, rregjimin e kakistokracisë dhe tradhëtisë së lartë kombëtare të Zografit Bis dhe veglës të tij mjerane në krye të PD.
Kujtimi i Ndritur i Azem Hajdarit është kushtrim për çdo demokrat dhe demokrate, anëtarë të thjeshtë, mbështetës të Partisë Demokratike.
Drejtues të strukturave të saj në të gjitha nivelet e institucioneve të saj, të rikthejnë me urgjencë PD mbi parimet bazë mbi te cilat ajo u themelua nga Azem Hajdari dhe studentët liberator të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave njerëzore dhe interesit kombëtar të shqiptarëve dhe shndërrimin e saj në një lokomotive të integrimit të Shqipërisë në BE.
Demokrat dhe demokrate, tribuni ynë sot na thërret: kokën lart! Azem ti je gjallë!”– përfundon Berisha.
Kjo thirrje e përkthyer në gjuhën e demokratëve të flaktë e që të djegin barotin në gojë, mbetet si një sinjal lufte.
Ai soji brezi luftarak njeh armën si shpagim!
E mira është që beteja politike mes Bashës dhe Berishës të vazhdojë e le ta zgjidhin mes tyre, por policia e shtetit dhe shërbimet intelegjente të jenë në krye të punës për të ruajtur jetën e kryetarit të PD-së.
Sot ishte Dita e Vrasjes së Liderit të Dhjetorit ndaj të gjithë përkulemi me respekt para emrit të tij madh.
Boll më me vrasje politike!
Boll me krime politike!
Thirrja drejtuar kryeministri Rama mbetet: Duhet të marrësh masa urgjente për jetën e Lulzim Bashës se njerëzit e ish-kryeministrit nuk të falin kollaj, aq me tepër kur iu vret liderin shpirtëror me përjashtim nga PD, parti të cilën ai e themeloi dhe drejtoi vetë.
Ruajeni Bashën, zoti kryeministër!