Sali Berisha ka bërë homazhe në mbrëmje para memorialit të ish-udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Azem Hajdari, i cili u vra 23 vite më parë.
Berisha tha se PD gjendet në një situatë shumë kritike, ndërsa sulmoi edhe kryedemokratin Basha, për të cilin u shpreh se është një njeri që shikon vetëm interesin personal.
“Erdha për t’u përulur me nderimin më të thellë para veprës së pavdekshme të tribunit legjendar, të revolucionit demkratik të dhjetorit ’90, udhëheqësit të lëvizjes studentore, prijësit të asaj lëvizje, Azem Hajdarit. Si vëllait të tij, në ideale, në besnikëri, Besim Çerës, të cilët u ekzekutuan këtu 23 vite më parë nga fallangat me uniformë të qeverisë së PS-së. Azem Hajdari do jetojë përjetë si një symbol i kurajos dhe guximit të jashtëzakonshëm njerëzor.
Do frymëzojë të rinjtë shqiptarë për të qëndruar në mbrojtje të lirisë dhe vlerave të saj. Askush në histori s’ka bërë për lirinë e shqiptarëve siç ka bërë Azem Hajdari. Nderimi sot i figurës së Azem Hajdarit merr një domethënie më të madhe se asnjëherë. Shqipëria ndodhet në gjendjen më kritike të saj, ashtu si edhe PD.
Është në nderin dhe detyrën e demokratëve kudo që janë, të ngrihen, të ngrenë kokën lart. Trashëgimia e tyre u jep nder dhe frymëzim. Një poshtërim i padëgjuar dhe pa parë ndodnjëherë në historinë e PD-së ka ndodhur dhe jam i sigurt se anëtarët, mbështetës, drejtuesit e të gjitha niveleve, do të dinë të hedhin në koshin e plehrave vendimin anti-statutor të atij që sot është në krye të PD-së, por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, interesin e tij personal.
Merreni këtë prani sot edhe si një zotim para tribunit tonë legjendar, se ne PD-në do ta ngremë në piedestalin që ajo meriton, që demokratët nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë, por do ngrihen dhe do ecin më të bashkuar se kurrë për të përmbysur regjimin e drogës, krimit, vjedhjeve, pazareve dhe kakistokracisë”, tha Berisha.