Deputeti i PD Myslim Murrizi, ka folur mbi homazhet që janë bërë nga demokratët tek busti i Azem Hajdarit në 23 vjetorin e vdekjes së tij.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se lideri demokrat Lulzim Basha dhe deputet e PD shkuan tek busti i Azem Hajdarit, kur nuk e njohin dhe as e kanë vlerësuar kontributin e tij.
Murrizi, u shpreh se ata nuk kanë asnjë lidhje me PD. “Përkulet para bustit të Azemit dhe i shpall armike të bijën Rudinën. Çfarë kishte ndryshe regjimi i Enverit? Luan Omarit i vrau babanë (pra vrau kunatin) dhe përkëdheli Luanin( të birin).
Ky përulet para bustit të të atit dhe “vret” të bijën për atë që sot është rikthyer si skllav në Kuvend dhe është ngritur në këmbë duke u betuar para komunistes Luljetës, ish- delegate në kongresin e fundit të PPSH.
Po kur shoh që në krah ka 5 individë që nuk kanë asnjë lidhje me PD, me Azemin, me opozitën 1997-2005 por janë të gjithë spurdhjake dhe hajdutë pushteti 2005-2013, bëhet akoma më e pështirë kjo ceremoni përkujtimore”, tha ai. Ndër të tjera, Murrizi u shpreh se kur u vra Azem Hajdari, lideri demokrat Basha si edhe shumë deputet të PD nuk kanë qenë këtu.
Sipas tij, nuk duhet që ta përkujtonin, kur nuk kanë vlerësuar kontributin e tij për krijimin e PD. “Në 12 shtator 1998, Basha ishte në Holandë dhe as vete nuk e kujton dot se ku ishte. Nuk ishte i vogël, por mbi 24- vjeç dhe nuk kishte asnjë lidhje me PD pavarësisht se Berisha ka dashur të na e paraqesë si dhjetorist.
Në 12 shtator 1998, Enkelejd Alibeja 25- vjeç nuk kishte asnjë lidhje me PD dhe ishte në shkollën e magjistraturës kur regjimi flaku në rrugë qindra gjyqtare për bindje politike. E pse duhet që të sforcoheni kot me buqeta me lule tek busti i Azem Hajdarit, ju që as e keni njohur, as e keni takuar, as e keni vlerësuar kontributin e tij, në krijimin e PD, se nuk keni pasur asnjë lidhje me PD nga 12 dhjetori 1990 deri në qershor 2005, kur PD ju dha pushtet e para në saj të pushtetit?”, tha ai.