Ish-kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka analizuar situatën politike brenda Partisë Demokratike, pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin nga grupi parlamentar demokrat të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Spahiu shprehet i bindur se përjashtimi i Berishës është pjesë e lojës, ndërsa shtoi se nëse do të ketë vërtet luftë mes ish-kryeministrit dhe kryedemokratit, atëherë sipas tij, të dy këta personazhe do të prekin fundin.
Megjithatë, pavarësisht se çfarë thuhet në publik, ish-kreu i AK theksoi se nga vendimi i Bashës për të përjashtuar ish-liderin demokrat kanë fituar të gjithë nga pak. “Mes luftës dhe paqes, Berisha dhe Basha e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Të dyve nuk ju intereson lufta dhe nuk mund ta mbajnë në shpatullat e tyre. Lufta do i fundoste të dy.
Me vendimin e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar fituan të gjithë. Fituan amerikanët, fituan socialistët, fituan demokratët, fitoi Basha, por më shumë nga të gjithë fitoi Berisha.
Berisha, sepse hyri në Parlament dhe u bë deputet në kundërshtim me kërkesën e amerikanëve; Fituan amerikanët, sepse rivendosën autoritetin përballë një vakumi që kishin krijuar në shoqërinë shqiptare; Fitoi Basha, sepse në të kundërt do shpallej “non grata” nga SHBA; Fitoi PD sepse do izolohej nga Uashingtoni; Fitoi PS, sepse ç’mitizoi dhe banalizoi në maksimum figurat e dy liderëve demokratë që duken si dy të pandehur që kërkojnë mëshirë dhe sepse përçanë totalisht opozitën”, shkruan ai.
Më tej zoti Spahiu theksoi se Berisha s’ka shanse të rikthehet në krye të PD. “Për këto arsye mos shpresoni se do ketë luftë Basha-Berisha. Ata janë shumë të kënaqur të gjithë me kaq pak. Harrojeni që Berisha të rikthehet kryetar i Partisë Demokratike, apo të kërkoj shkarkimin e Bashës. Nuk është kohë lufte por paqe për të dy. Thjesht po aktrojnë një glorifikim mediatik, ndërkohë nën rrogoz kanë mbyllur negociatat për amnisti”, nënvizoi Spahiu.