Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike si vendim i kryedemokratit Lulzim Basha për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha nga grupi parlamentar demokrat, qeveria e re “Rama 3”, raportet Rama-Meta dhe vrasjen e Azem Hajdarit.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Klosi u shpreh se ish-kryeministri Berisha është e keqja e PD-së, ndërsa theksoi se Basha tregoi kurajo me përjashtimin e tij nga partia. Sipas tij, sulmet e Berishës ndaj Bashës tregojnë se nuk i intereson PD-ja dhe askush nuk i shkon pas ish-kryeministrit.
Duke u ndalur tek vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-kreu i SHISH zbuloi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prova dhe dëshmi të forta kundër tij, ndërkohë që shtoi se janë angazhuar qindra njerëz për kopsitjen e dosjes së ish-liderit demokrat. Nga ana tjetër, teksa dje u shënuan 23 vite nga vrasja e themeluesit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit, një prej personaliteteve më të rëndësishme të viteve të para të pluralizmit në Shqipëri, zoti Klosi deklaroi se askujt nuk i intereson zbardhja e kësaj ngjarje të rëndë.
-Zoti Klosi, kryedemokrati Lulzim Basha përjashtoi ish-kryeministrin Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD, si i keni parë këto zhvillime?
Vendi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të përjashtuar ish-kryeministrin Sali Berisha përkohësisht nga grupi parlamentar i PD-së, duket një zhvillim interesant dhe kurajoz. Unë gjithmonë jam deklaruar që Partinë Demokratike nuk e njoh nga brenda dhe për rrjedhojë problemet e brendshme të tyre, por njoh veprimet e saj, si janë të organizuara dhe çfarë kanë bërë në këto 30 vite.
Mirëpo përtej këtyre, ne të gjithë në këto 8 vite që Lulzim Basha ka ardhur në krye të PD-së, kemi konsideruara që ai nuk ishte kryetar i vërtet i kësaj partie, por ishte kryetari që zbatonte urdhrat që i jepte tjetër kush, domethënë Sali Berisha. Por me vendimin e të enjtes për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, kjo edhe për shkak të opinionit amerikan dhe aleatëve të vet, si dhe shumë faktorë të tjetrë, u detyrua të tregohet drejtuesi i vërtetë i PD-së.
Nga kjo pikëpamje edhe përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar demokrat, deri sa ai të sqarohet, pra mbetet që paska një gjë për të sqaruar sipas Bashës nga ana e Saliut. Për mua është vendim i fortë që duhet përshëndetur.
-Pse sipas jush u thyen raportet Basha-Berisha?
Po sigurisht që janë thyer raportet Basha-Berisha! Ky i fundit të paktën qysh kur u njoh dhe u kap në befasi nga vendimi i Lulit për ta përjashtuar nga grupi parlamentar demokrat, ka dalë nga llogorja dhe i ka hapur luftë Bashës. Në këtë kontekst, Basha akoma nuk ka thënë gjë, pasi tha vetëm kaq që: “Unë po e marr këtë vendim për të përjashtuar ish-kryeministrin Berisha nga grupi, për të ruajtur Partinë Demokratike dhe vendosa të marrë një vendim të tillë edhe për të lehtësuar deputetët demokratë dhe të gjithë ata që do të ngrinin dorën nëse do të hidhej ky vendim në forumet për votim”. Këtu Basha justifikoi të gjithë dhe i mori vetë kostot! Ndërsa nga ana tjetër kemi Sali Berishën, i cili shëtit studio më studio dhe ka filluar të zbërthehet, duke i shpallur luftë dhe kërcënuar Lulin se do t’i marrë Partinë Demokratike.
-Sali Berisha kërcënon se do të bëjë gjithçka për largimin e Bashës. Mendoni se i shkon më njeri pas?
E thashë edhe më sipër dhe po e ritheksoj që unë nuk i njoh problemet dhe situatën e brendshme të Partisë Demokratike. Por më ato që unë shoh, mendoj se Sali Berisha ka nisur vetëm fushatën e kërcënimeve, pasi po ta shohësh ditën e premte para oborrit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-kryeministri Sali Berisha u prit me ovacione nga një grup qytetarësh që ishin apo nuk ishin 100 vetë, që nuk përfaqësojnë asgjë. Mbështetësit e Sali Berishës sot që flasim nuk përfaqësojnë asgjë brenda PD-së, pasi Lulzim Basha është kujdesur që në postet drejtues edhe forumet e partisë të vendosë njerëzit e tij besnikë. Nga kjo pikëpamje mendoj se masa e madhe e Partisë Demokratike që e kanë konsideruar Sali Berishën si udhëheqësin dhe liderin historik të PD-së, e kuptojnë që në këtë situatë ka të drejtë Luli.
Masa e demokratëve sot që flasim kanë bindjen se të qenit aktiv i Berishës në politikë, ka bërë që Partia Demokratike të mbetet në vendnumëro, pasi e pengon pikërisht prania e Saliut. Kështu që për të hyrë në brendi të pyetjes suaj, nuk besoj se i shkon njeri pas Berishës dhe demokratët tanimë janë rreshtuar në krah të Lulzim Bashës. Madje, këtu dua të shtoj se Luli në fund të fundit i detyruar ka qenë që të përjashtonte Sali Berishën nga grupi parlamentar demokrat dhe padyshim që demokratët e mbështesin vendimin e tij, pasi ai shpëtoi PD-në me vendimin që mori kundrejt ish-liderit demokrat.
-Basha në takimin me deputetët ka folur dhe për informacione sekrete nga SHBA, të pabëra publike. A kanë amerikanë të dhëna konkrete mbi abuzimet e Berishës?
Absolutisht po që amerikanët kanë të dhëna konkrete mbi abuzimet e ish-kryeministrit Sali Berisha përderisa e kanë shpallur atë dhe familjen e tij “non grata”. Problemi është që në të tilla raste, burimet e informacionet mbi të cilat Departamenti Amerikan i Shtetit vendos që të merrte vendim për Saliun, nuk janë të zbulueshme kollaj. Që dhe ju dhe audienca të hiqni çdo iluzion, Sekretari Amerikan, Antony Blinken nuk e ka vendosur i vetëm që ta shpallë Berishën “non grata”, janë shumë aktorë dhe është një proces që mund të ketë zgjatur me vite.
Për Sali Berishën është hetuar me vite dhe kanë marrë pjesë qindra njerëz dhe që kanë dëshmuar. Kështu që nga kjo pikëpamje dua të theksoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë shpallur Sali Berishën person “non grata” mbi bazë faktesh dhe provash të besueshme. Amerikanët kanë prova për Saliun dhe është e kotë që të komentojmë më tej për këtë çështje, që për mua është e mbyllur dhe Saliu me gjyqin që ka hapur në Francë kundër Sekretarit Amerikan, thjesht po luan blofin, pasi edhe ai vetë e di që nuk ka për të pasur sukses!
-Duke qenë se kemi dosje sekrete, mendoni se mund të shkohet deri të ndjekja penale për Berishën?
Këtë nuk di ta them!
-Sali Berisha vijon të jetë deputet, ndërkohë që vetëm 4-5 deputetë i kanë dalë në krah. Si e shihni gjendjen e tij? A mund ta shmangte këtë situatë?
Unë nuk i kam numëruar se sa deputetë demokratë i kanë dalë në krah, por nuk është ky problemi. Edhe Sali Berisha e kupton këtë gjë dhe të tëra ato që ai po thotë tani, pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike janë broçkulla. Sali Berisha në këto momente që po flasim, ka vënë interesin e tij personal mbi atë të PD-së. Sali Berisha reagoi dhe i ka hapur luftë Lulzim Bashës, mbi bazë të interesit të tij personal. Normalisht po t’i interesonte PD-ja, Saliu duhet të kishte dhënë dorëheqjen vetë dhe të thoshte që kam hapur një gjyq kundër Sekretarit Blinken në Francë dhe do pres rezultatet e gjyqit dhe po mënjanohem hë për hë, por jam i sigurtë që në finale do të fitoj. Por Saliu nuk e bëri këtë dhe tani ai është hedhur në aksion për interesat e tij personale. Kaq e thjeshtë është kjo punë! Kështu zgjidhej problemi automatikisht! Por Sali Berisha nuk e koncepton kështu problemin, pasi për të partia është ai vetë. Saliu vë interesat e Partisë Demokratike, pasi thotë se janë interesat e mia dhe atij nuk i intereson partia, por vetja e tij. Reagimi i tij qe shumë i ashpër dhe u duk shumë, madje shumë qartë që me përjashtimin që i bëri Lulzim Basha nga grupi parlamentar i PD-së, i shkaktoi atij një dëm të madh.
Përjashtimi nga Partia Demokratike ishte një dështim i madh për Berishën. Pra, për të janë të padiskutueshme interesat e tij personale dhe se atij nuk i intereson partia. Nga kjo pikëpamje unë dua të shtoj se me këtë reagim të ashpër që bëri Sali Berisha dhe me nisjen e aksionit politik për të rivendosur gjasme dinjitetin në PD edhe militantëve demokratë duhet t’iu hapen sytë dhe të shohin se kush është Saliu. Me këto veprime që po bën së fundi Berisha, po tregon se në këto 30 vite ai nuk ka pasur interes Partinë Demokratike, por ka në plan kryesor dhe kryefjalë vetëm interesin e tij personal dhe familjes së tij! Berishës nuk i intereson PD-ja dhe populli!
-Duke e njohur Berishën, mendoni se mund të kemi hakmarrje ndaj Bashës? Thuhet që siguria ndaj tij është rritur.
Këtë lajm po e dëgjoj nga ju! Por di të them se rritja e sigurisë fizike për liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha është normale dhe është detyrë e autoriteteve që ta ofrojnë atë. Mirëpo, në situata të tilla dua të theksoj se Sali Berisha nuk mund të hakmerret drejtpërdrejt kundër Lulzim Bashës me gjëmën që ai i bëri.
Por ka budallenj plot, madje edhe brenda Partisë Demokratike, pra njerëz që iu duket e drejtë që të bëjnë ndonjë gjë kundër Bashës, me arsyetimin që nuk e durojmë dot, ne jemi demokratë dhe Luli na tradhtoi me vendimin për të përjashtuar doktor Berishën nga PD-ja. Ka kudo individë ekzemplarë që bëjnë edhe incident të kësaj natyre, sidomos brenda Partisë Demokratike që ka më shumë se në çdo parti tjetër. Kështu që nuk ka asgjë të keqe që i është rritur siguria Lulzim Bashës!
-Si për koincidencë, Berisha ikën nga PD pak ditë nga përvjetori i vrasjes së Azem Hajdarit. Dje u bënë 23 vite nga vrasja e Hajdarit, a ka pasur gisht Berisha në këtë ngjarje?
Me sa di unë, për vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari është bërë një proces gjyqësor dhe unë nuk mund të dal jashtë atij procesi. Zyrtarisht është ai proces gjyqësor që kemi parë sa i takon vrasjes se Azem Hajdarit në 12 shtator të vitit 1998. Pra, zyrtarisht ka një proces gjyqësor për këtë çështje dhe opinionin i tij është ai zyrtari që njohim. Por nga ana tjetër unë kam opinionet e mia sigurisht në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit dhe nuk jam në një mendje me ata që e trajtuan ashtu problemin, pra dosjen “Hajdari”, por kaq! Ndërkohë sa i takon se a ka pasur gisht Saliu në këtë ngjarje, mendoj se po!
-Ish-kryeministri Sali Berisha në disa deklarata ju akuzon ju si të përfshirë, duke qenë se keni qenë kreu i SHISH. Si i keni marrë këto deklarata?
Hahahahaha! Këto deklarata i kam marrë duke qeshur, pasi jam i sigurtë që të gjitha që thuhen kundrejt meje nga Sali Berisha janë shpifje dhe broçkulla! Shiko! Për sa kohë që flitet për mua, duhet të dini një gjë që më i informuari jam unë. Ndërkohë unë di shumë gjëra për Sali Berishën dhe ai prandaj është i tmerruar! Por kur i dëgjoj këtë nga Berisha për çështjen “Hajdari” më vjen për të qeshur vërtet. Saliu me shokë më akuzojnë mua se kam gisht në këtë ngjarje dhe këto janë thjesht broçkulla! Qysh sapo mora detyrën e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Sali Berisha dhe ithtarët e tij më kanë sulmuar, pasi e kanë konsideruar gjithmonë se SHISH është vijim i Sigurimit të Shtetit, pasi në kohën ‘92-‘97 kur Shqipëria qeverisej dhe drejtohej nga Partia Demokratike, ky institucion ashtu u trajtua dhe në ato gjurmë eci! Kështu që edhe kur Shërbimi Informativ Shtetëror drejtohej nga unë, mendonin se institucioni ishte si në kohën e tyre. Kaq e thjeshtë është kjo punë!
-Izet Haxhia vijon gjyqin për këtë rast, por asgjë nuk po ecën, si shpjegohet që po bllokohet kjo dosje?
Gjyqi për Izet Haxhinë është rihapur, por duhet të dini një gjë që kërkujt nuk i intereson hapja dhe zbardhja e dosjes “Hajdari”! Më i interesuari që shpreson se me rihapjen e gjyqit do të gjejë drejtësi, është Izet Haxhia. Dhe unë uroj që ky i fundit të gjejë drejtësi, pavarësisht se ai mua më ka sharë dhe akuzuar si të përfshirë në vrasjen e ish-deputetit Azem Hajdari. Nga kjo pikëpamje dua të shtoj se roli i Izet Haxhisë në vrasjen e Azem Hajdarit nuk ka qenë i rëndësishëm dhe ai nuk e meriton, mbase atë dënim aq të rëndë. Por në këtë rast si pyetja që ju shtruat më sipër se a ka gisht Berisha në vrasjen e Azem Hajdarit nuk do të trajtohet në rastin kur jemi në kushtet kur është hapur gjyqi. Me rihapjen e gjyqit, do të trajtohet vetëm roli i Izet Haxhisë, për shkak se kur u bë asokohe gjyqi, ai mungonte dhe u dënua në mungesë!
-Një tjetër zhvillim është qeveria e re. Si e shihni kabinetin e prezantuar nga Rama?
Qeveria “Rama 3” dhe emrat e ministrave të rinj të prezantuar nga kryeministri Edi Rama është problemi i tij. Edi gjithmonë ka qenë politikan që i pëlqejnë surprizat dhe i paparashikueshëm! Edhe në fillim gjatë mandatit të parë, Edi Rama solli në qeveri emra dhe njerëz që kishin eksperienca jashtë Shqipërisë. Ca nga ata ministrat i dolën të mirë, ca i hoqi më shpejt se sa kishte menduar. Kështu që dua të them se edhe qeveria se ka në radhët e saj njerëzit më të zotë të vendit. Kjo s’ka asnjë kuptim, pasi të zotët duhen gjithandej, duhen në Parlament, duhen në administratë, duhen në bashki, duhen në gjyqësor dhe mjekësi. Nuk është e thënë që ministrat të jenë ekselentë.
Ministrat e një qeverie janë nëpunës të shtetit. Dhe natyrisht, kryeministri Edi Rama ka të drejtën dhe duhet të bëjë prova, duke provuar një emër të caktuar. Po nuk funksion dhe ministri i zgjedhur nuk bën, është e thjeshtë, mund ta shkarkosh. Aty është Parlamenti dhe i kërkon ta ndërrojë. Pastaj përpara se Edi të vendosë për një ministër, ai e ka skanuar figurën e tij dhe ka shumë informacion për të. Ramës i pëlqen kur thotë populli që të qëmtojë njerëzit, në mënyrë që të ketë në krah dhe bashkëpunëtorë emra dhe personalitete sa më të spikatur dhe të aftë! Pra, Rama e ka në dorë të vendosë kë të dojë ministër dhe është ai që merr kostot. Unë nuk kam tagër të kritikojë Edin për qeverinë e re. Do të thoni ju që po shiko se në qeverinë “Rama 3”, kryeministri Rama ka vendosur shumë ministre gra. Ky është opinioni i tij dhe qasja e tij e përgjithshme prej kohësh. Por duhet të dini një gjë që gratë janë më pak mendjemëdha se burrat dhe si duket këto parametra, rama mesa duket i çmon më shumë se politikanët e tjerë. Kaq e thjeshtë është edhe kjo punë!
-Të shtunën Ilir Meta e dekretoi Edi Ramën si kryeministër edhe pse kemi një president të shkarkuar nga Parlamenti. Mendoni se Rama-Meta i kanë sheshuar raportet?
Presidenti Ilir Meta nuk kishte çfarë të bënte dhe ishte i detyruar që ta dekretonte Edi Ramën si kryeministër të ardhshëm të Shqipërisë. Pse ju mendonit se Meta nuk do ta dekretonte Ramën?! Meta s’kishte shanse ta bllokonte Ramën si kryeministër dhe me firmën që hodhi në dekret thjesht zbatoi Kushtetutën dhe bëri detyrën! Sa i takon se a i kanë sheshuar raportet mes Edit dhe Ilirit, duhet të keni parasysh një gjë.
Para ca muajsh vajtën larg raportet mes Metës dhe Ramës, ku pati përplasje të forta mes tyre. Kështu që nëse supozojmë se raportet mes Ramës dhe Metës janë sheshuar kaq shpejt, pas atyre që pamë dhe ndodhën, domethënë na lind nevoja t’i paragjykojmë dhe të them që ato sherre dhe përbetime që janë bërë paskan qenë të kota dhe kanë teatër. Pra, për ta mbyllur nuk mendoj se gjërat dhe raportet Rama-Meta të sheshohen kaq kollaj. Mos harroni që kanë qenë gjëra shumë të rënda që kanë ndodhur. U anuluan zgjedhjet lokale të vitit 2019, u caktua datë e re nga ana e Metës, më pas opozita nuk i njohu, pastaj u diskutua për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit që sapo kaluam, etj., etj. Pra, si përfundim Ilir Meta dekretoi Edi Ramën se ky i fundit ka shumicën për të formuar qeverinë e re dhe s’besoj se i kanë sheshuar raportet mes tyre.