Dalin të tjera detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi gjatë mesnatës në zonën e “Astirit” në Tiranë, ku ashensori i një pallati u shkëput duke plagosur për pasojë dy gra.
Pas verifikimeve të policisë rezulton se banorët e pallatit të përfaqësuar nga administratori nuk kanë firmosur kontratë mirëmbajtje dhe kolaudimi për ashensorin dhe kavot dhe nuk janë ndërruar që kur ai është montuar.
Një tjetër detaj i rëndë është fakti që ashensori rezulton të jetë i pacertifikuar nga Inspektoratit Shtetëror teknik, ISHT.
Momentalisht ndodhet një prej grave, 30-vjeçarja me inicialet M.S., ka pësuar traumë në pjesën e kofshëve, por gjendja e saj është e qëndrueshme.
Ndërsa e plagosura tjetër, shtetasja me inicialet M. Q, e cila ishte dhe shtatzëne, pasi ka marrë mjekim, është larguar për në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.
Në ashensor ndodheshin në momentin e aksidentit 4 persona, por fatmirësisht nuk ndodhi një ngjarje me përmasa tragjike.
Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut ka dalë me një sqarim publik lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e “Astir”-t, ku pas shkëputjes së një ashensori mbetën të plagosura dy gra.
Në deklaratë bëhet me dije se ashensori i pallatit ku ndodhi ngjarja nuk rezulton i regjistruar.
“Rezulton se ashensori i cili ka pësuar “defekt teknik” duke shkaktuar aksident nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar sic parashikon Ligji 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu theksohet se është detyra e administratorit të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik.
DEKLARATA E PLOTË
Lidhur me ngjarjen e ndodhur në pallatet me adrese në kompleksin Fratari, në zonën e Astir, Tiranë, sqarojmë se pranë ISHMT nuk rezulton ky subjekt si i regjistruar.
Sipas Ligjit 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore’, i ndryshuar Personi Përgjegjës i produkt/instalimit nuk e ka bere regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT.
Nga të dhënat e ISHMT për sa i përket raportimeve të Trupave të Autorizuara dhe të dhënave të tjera të siguruara nga ISHMT, rezulton se ashensori i cili ka pësuar “defekt teknik” duke shkaktuar aksident nuk ka qenë i inspektuar nga një Trupë e Autorizuar sic parashikon Ligji 10489/2011 “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”, i ndryshuar.
Në zbatim të legjislacionit për administrimin e ambjenteve të përbashkëta, banorët e pallatit duhet të zgjedhin një administrator dhe është detyra e administratorit të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për garantuar sigurinë e përdoruesve.
Strukturat e ISHMT ne momentin e marrjes se njoftimit janë angazhuar maksimalisht ne bashkepunim dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese per zbardhjen e kesaj ceshtje.