Ditën e sotme u bë zyrtare përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, pasi në shkresën e PD-së drejtuar Kuvendit, emri i ish-kryeministrit nuk ishte pjesë e atij grupi.
Ndërkohë Berisha gjatë një bisede televizive u shpreh se ka 3 arsye përse vendimi i Bashës është antiligjor. Ai tha se është anëtar i Grupit të PD sepse:
“Unë jam anëtar i grupit të PD. Pavarësisht nga burokracia, por ka një ligj, i cili përcakton se kur deputeti nuk është anëtar i forcës së vet politike. Pse jam anëtar i grupit parlamentar të PD? Sepse unë kam kandiduar për PD dhe jo si i pavarur.
Së dyti, KQZ e ka lëshuar mandatin e Sali Berishës si deputet i PD. Së treti, zoti Basha ka shpallur një deklaratë televizive, duke dhunuar çdo germë, çdo nen, çdo fjalë të statutit të PD. Unë nuk kam asnjë vërejtje për mendimin e tij personal, por ky mendim është nul nëse nuk votohej minimumi në Këshillin Kombëtar ku duhet miratuar me dy të tretat”, tha Berisha.