Lëvizja Socialiste për Integrim ka nisur pazaret për të krijuar grup parlamentar në Kuvend. Partia Demokratike i dha goditje të fortë partisë së Kryemadhit, duke mos i dhënë deputetë që të dilte me grup më vete. Basha ndihmoi aleatët, por me LSI ndodhi krejt e kundërta.
Kjo ka bërë që të nisin dhe përplasjet, ndërkohë sipas informacioneve partia e Kryemadhit ka nisur tentativat për të mos dalë jashtë loje. Sipas informacioneve, po tentohet që anëtarët e PSD të bashkohen me LSI. Sipas rregullores, që të krijohet një grup parlamentar duhen 7 deputetë. LSI ka 4, ndërkohë partia e drejtuar deri pak muaj më parë nga Tom Doshi ka 3 deputetë. Nëse ata bashkohen me LSI, Kryemadhi i ka mundësitë të dalë me grup parlamentar.
Sinjalet janë se kemi një konsensus të heshtur dhe me PS. Mazhoranca i doli në krah Petrit Vasilit të hënën lidhur me pjesëmarrjen në komisione, ndërkohë dyshimet janë se LSI votoi edhe pro Lindita Nikollës. Kryetarja e Kuvendit mori 79 vota, por nëse bëjmë llogaritë PS ka 74 mandate, nëse shtojmë dhe të PSD shkon në 77, atëherë kush i dha dy vota? Të vetmit që votuan ishte LSI dhe Vangjel Dule. Ky i fundit ka deklaruar disa herë se ka votuar kundër, atëherë me shumë gjasë kanë votuar anëtarët e LSI. Ndërkohë presidenti Meta dekretoi me urgjencë qeverinë e re duke treguar se raportet kanë ndryshuar.
LSI sulmon PD
Ajo që vihet re është se tashmë kemi një divorc final mes PD dhe LSI. Përmes Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Braimllari, është konfirmuar se nuk ka më aleancë. Në një intervistë televizive, Braimllari tha se ata i kanë kërkuar Lulzim Bashës që mos të tradhtojë kauzën e opozitës për interesa personale dhe për interesa të Edi Ramës.
“LSI ka vendosur që të qëndrojë në opozitë parimore, kjo që prej 2017. Vendimmarrjet tona në opozitë kanë qenë vendimmarrje në disa raste u bënë për të ruajtur frymën opozitare që të mos ishte LSI ajo parti që prishte frymën dalë dhe nga vetja e saj. Dhe kërkesa e vetme, drejtuar kryetarit të PD, ka qenë shumë e thjeshtë, të mos tradhtohet kauza dhe interesi opozitës për interesa personale dhe interesa të Edi Ramës. LSI është koherente në qëndrimet e saj, nuk ka asnjë kërkesë të LSI-së për grup parlamentar. Ne jemi forcë opozitare, për ne ka rëndësi që të 4 përfaqësuesit e LSI janë një zë i fortë i atyre që përfaqësojnë”, tha ai.
Mehmetaj: Edhe me 4 deputetë mund të ngrejmë nisma
Ndërkohë, zërave se Partia Demokratike refuzoi t’i japë deputetë Lëvizjes Socialiste për Integrim për të formuar grupin parlamentar iu përgjigj edhe deputetja e kësaj partie, Kejdi Mehmetaj. Në një intervistë televizive, ajo u shpreh se në fakt Lëvizja Socialiste për Integrim nuk i ka kërkuar deputetë hua PD-së, pasi gjykon se mund të bëjë opozitë edhe me numrin e përfaqësuesve që ajo siguroi nga zgjedhjet e 25 prillit. “LSI nuk i ka kërkuar PD-së deputetë hua, për të kërkuar një grup parlamentar. Jemi futur në Kuvend me katër deputetë. Gjykojmë që për të bërë opozitë në Parlament, nuk është domosdoshmëri për të pasur grup parlamentar. Edhe një deputet i vetëm jo më katër, mund të ngrenë nisma shumë më tepër se një grup me 50-60 deputetë”, tha ajo.