Këngëtarja Fjolla Morina është liruar nga paraburgimi. Lajmi është konfirmuar nga avokati i saj Fanol Krasniqi. Sipas avokatit, gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj dhe këngëtares i është ndërprerë masa e paraburgimit.
“Gjykata me datën 15 shtator 2021 ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj dhe të njëjtes ia ka ndërpre menjëherë paraburgimin”, tha Krasniqi për Gazetën Express.
Fjolla Morinës i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Kjo masë ishte llogaritur prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021 në Prishtinë.
Këngëtarja u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar në pikën e kalimit kufitar Morinë, këngëtares iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.